RMV, partitë më të mëdha politike propozojnë një njësi zgjedhore me pesë përqind prag dhe me lista të hapura

Partitë më të mëdha politike në Kuvend në konferecën e sotme për shtyp theksuan se propozojnë një njësi zgjedhore me pesë për qind prag dhe me lista të hapura, raporton MIA. Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi theksoi se partia e tij në grupin punues do të propozojë një njësi zgjedhore me pesë për qind prag dhe me lista të hapura. Ai potencoi se pragu prej pesë për qind është në funksion që të sigurohet stabiliteti politik.

“Destabiliteti politik nuk shkon në favor as të shtetit, as të qytetarëve. Nëse zotëri Trajanov dëshiron të ketë vend të garantuar të deputetit për tërë jetën, atëherë të bisedojmë edhe për këtë, por në kuadër të grupit të punës. Duhet të jemi konstruktiv. Pikërisht për këto shkaqe, Lidhja Demokratike ishte kundër listave të hapura për këshilltarë, pasi ashtu tërë opinioni do të kuptojë se kush sa peshon në skenën politike dhe për këtë shkak ishin kundër. Edhe elaborimi i tyre në kuadër të grupit të punës para zgjedhjeve lokale ishte në këtë drejtim. Por lobimi dhe fushata para qytetarëve është puna më jonormale”, tha Ademi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për deklaratën e kryetarit dhe deputetit nga Lidhja Demokjratike, Pavle Trajanov se as BDI-ja, as cilado parti tjetër shqiptare në mënyrë të pavarur nuk mund ta arrijnë këtë prag, Ademi tha se kjo nuk është blof dhe se përkrahjen që e ka BDI-ja mund të konfirmohet dhe të bëhet një matematikë e thjeshtë nëse pesë për qind janë të arritshme ose jo.

Deputeti i LSDM-së, Mile Tanevski tha se partia e tij i përkrah ndryshimet e Kodit zgjedhor, duke marrë parasysh se, siç tha, ata kanë qenë partia e parë politike, që në programin e tyre që në vitin 2016 kanë vendosur propozim për një njësi zgjedhore.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski potencoi se partia e tij do të japë përkrahje për një njësi zgjedhore, pasi të arrihet marrëveshje për punët tjera. Potencoi se përkrahje nga ana e VMRO-DPMNE-së do të marrin vërejtjet e OSBE/ODIHR-së.

Më 18 prill, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar që është formuar grupi i punës që ka për qëllim ndryshimin e sistemit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Kodi i ri pritet të miratohet pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.

Rikujtojmë se më 13 mars, ambasadori holandez Jan Kop, gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, ka shprehur interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor.

Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.