Lloga – Jan Kop: Grupi punues për Kodin Zgjedhor nuk mund të fillojë pasi VMRO-DPMNE nuk propozon anëtar

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sot realizoi takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Dirk Jan Kop, njofton Portalb.mk.

“Në takim u bisedua për finalizimin e përpunimit të Strategjisë së re për reforma në sektorin e gjyqësisë 2023-2027, përgatitja e Kodit Penal të ri, skriningun, si dhe fuqizimin e kapaciteteve për udhëheqjen e negociatave në Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ata shtojnë se ambasadori Jan Kop shprehu interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri zgjedhor.

“Ministri Lloga informoi se grupi punues nuk mund të fillojë me punë për shkak të faktit se VMRO-DPMNE nuk propozon një anëtar të vetë edhe pas shumë kërkesave për nominim të një përfaqësuesi nga ana e tyre”, thuhet në kumtesë.

Lidhur me paralajmërimin për fillim të vetingut, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha se ky proces nuk mund të realizohet nëse nuk ka përkrahje nga SHBA dhe BE.

“Ambasadori Dirk Jan Kop i dëshiroi Llogës sukses në kryerjen e funksionit ministror dhe porositi se Holanda në të ardhmen do të realizojë projekte në fushën e gjyqësisë duke dhënë mbështetje në sistemin e burgjeve, Prokurorinë Publike, Këshillin Gjyqësor, si dhe aplikimin më të madh të ndërmjetësimit në vendin tonë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button