RMV, Parlamenti i shqyrtoi kandidaturat për anëtarin e ri të Antikorrupsionit, vëmendjen më të madhe e kishin ‘donatorët’ e VMRO-DPMNE-së
Komisioni parlamentar për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve në Maqedoninë e Veriut, së bashku me anëtarët e Komisionit përzgjedhës, zhvilluan sot intervista publike me kandidatët e paraqitur për anëtar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Duhej të prezantoheshin pesë kandidatë, por njëra prej tyre, Marija Kitanov Katralova, nuk mori pjesë dhe sipas rregullores, kandidatura e saj u hodh poshtë, shkruan Portalb.mk.
Vëmendjen më të madhe e tërhoqën “donatorët” e VMRO-DPMNE-së, përkatësisht kandidatja Antonija Andonova Tasevska dhe Borçe Stojanovski. Ndërsa Stojanovski pohoi se nuk ka donuar kurrë asgjë për asnjë parti politike, që është një nga kushtet për të kandiduar për këtë pozicion, Tasevska nuk ishte aq kategorike, duke deklaruar se “nuk i kujtohej”.
Në këtë deklatatë reagoi deputetja Jovana Mojsoska nga Levica. Sipas saj, këto informacione hedhin hije mbi kredibilitetin e procesit për zgjedhjen e anëtarit të një trupi që duhet të luftojë kundër korrupsionit.
“Në intervistën e sotme në Kuvend, një nga kandidatet deklaroi se ‘nuk i kujtohej se kishte donuar para për DPMNE-në dhe se me shumë gjasa ishte një gabim’?! Sigurisht që shumë prej nesh u ndodh ‘gabimisht’ të donojnë për partinë në pushtet”, reagoi Mojsoska.
Si vëllai i drejtorit të Fondit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në shënjestër ishte edhe kandidati Vladimir Klekovski, i cili deklaroi se të njëjtën pyetje e kishte marrë edhe kur kandidoi për herë të dytë për anëtar të KSHPK-së në vitin 2023 dhe se, si atëherë ashtu edhe tani, pohon se kurrë nuk ka qenë anëtar apo aktivist i ndonjë partie politike dhe se nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet partiak. Njëkohësisht, ai theksoi se në rregulloren e KSHPK-së ekziston një mekanizëm për konfliktin e interesit dhe se edhe nëse ai vetë nuk do të donte të tërhiqej nga ndonjë lëndë, të tjerët do ta shkarkonin.
Ai pati edhe një moment sinqeriteti, ku rreth dilemës se pse konkurron për herë të tretë për këtë funksion, tha se edhe vetë kishte menduar nëse duhej të vinte në intervistë dhe se “nuk shpreson për asgjë, nuk pret asgjë dhe nuk do të zhgënjehet”. Si arsye për dyshimin e tij, ai përmendi faktin se më parë kishte entuziazëm në KSHPK, ndërsa tani gjendja kishte ndryshuar. Përndryshe, ai është magjistër i shkencave juridike dhe punon si avokat prej 11 vitesh e gjysmë, gjë që u bë shkak për t’u pyetur se si do të sillej nëse do të merrte një lëndë ku do të ishte i përfshirë klienti i tij, për çka iu referua sërish mundësisë për t’u tërhequr. Klekovski gjithashtu ka punuar në bankë për çështje juridike dhe ka punuar në Gjykatën Supreme. Si pikë kyçe ai theksoi se do të përpiqet të vendosë një sistem efikas të parandalimit në KSHPK dhe që ai të jetë më prioritar se sistemi i represionit, gjegjësisht ndëshkimit, sepse siç tha ai, nëse nuk ka parandalim, nuk do të ketë nevojë për ndëshkim.
Ai ka punuar në projekte lidhur me regjistrin e të dhënave dhe konfliktin e interesit, nepotizmin dhe kronizmin. Si synime të tij ai renditi rritjen e sanksioneve për shkelësit, pasi ato aktualet i vlerësoi si simbolike, zhvillimin e regjistrit të të dhënave, forcimin e kapaciteteve të KSHPK-së dhe zgjerimin e rrethit të anëtarëve të familjeve të zyrtarëve që duhet të jenë pjesë e kontrollit të pasurisë sepse tani vetëm me ndryshimin e adresës së ndonjërit prej tyre mund t’i shmangen detyrimit. Ai nuk kishte dyshim se sundimi i së drejtës është i ndryshëm nga sundimi i ligjeve, duke vlerësuar se edhe “Gjermania e Hitlerit ishte shtet ligjor dhe me ligj i kreu të gjitha tmerret”, sepse siç tha ai, jo çdo ligj është i drejtë.
Antonija Andonova Tasevska, e cila punon për më shumë se 10 vjet në KSHPK si këshilltare për ekzaminimin e gjendjes pasurore, theksoi se vizioni i saj është që Komisioni të zhvillohet në një institucion të fortë, të pavarur dhe profesional. Ajo njoftoi se, nëse zgjidhet, do të fokusohet në forcimin e integritetit institucional përmes procedurave të qarta, zbatimit të vazhdueshëm të standardeve etike dhe mekanizmave të përmirësuar të kontrollit të brendshëm. Njoftoi transparencë më të madhe, përmirësim të qasjes analitike në kontrollin e pasurisë, si dhe digjitalizimin dhe edukimin e vazhdueshëm si parakushte për parandalimin më efikas të korrupsionit. Ajo theksoi se përvoja e saj shumëvjeçare, trajnimet ndërkombëtare dhe praktikat krahasuese të fituara në trupat antikorrupsion evropianë janë një bazë e rëndësishme për të kontribuar në punën e KSHPK-së. Përndryshe, në biografinë e dorëzuar shkruan se deri në vitin 2014 ka punuar në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të qeverisë.
Milka Muratovska ka pas vetes dy magjistratura (njëra për shkenca antikorrupsion), ka master për të drejtën penale dhe ka përfunduar Akademinë për Antikorrupsion në Austri. Ka punuar në bankë dhe zyrë avokatie, ndërsa vjen nga zyra e Avokatit të Popullit. Në pyetjen se pse dikush që punon në një institucion me besueshmërinë më të lartë në shtet do të vinte në KSHPK, ajo tha se dëshiron të përcjellë përvojën e saj nga atje, në mënyrë që edhe ky trup të kthejë besimin e publikut.
Edhe ajo si prioritet theksoi rolin parandalues të KSHPK-së, para së gjithash përmes kontrollit antikorrupsion të ligjeve. Me këtë rast, ajo paraqiti të dhënën se deri tani vetëm tri ministri kanë kërkuar një kontroll të tillë për ligjet që kanë propozuar, gjë që tregon se sa llogari jepet për këtë aspekt në shtet. Për të ishte e papranueshme mungesa aktuale e proaktivitetit dhe jotransparenca e KSHPK-së, ndërsa si problem theksoi edhe faktin që KSHPK duhet të jetë e lidhur me 17 institucione që të jetë efikase në kontroll, por aktualisht është e lidhur vetëm me pesë, dhe ky proces po zhvillohet ngadalë. Si rezultat i kësaj dhe i të dhënave të pasintetizuara në institucione, theksoi ajo, nuk dihet as sa zyrtarë saktësisht ka në këtë moment në shtet.
Duke iu përgjigjur pyetjeve, ajo vuri në dukje dy rreziqe për korrupsion në Ligjin e popropozuar për Arsimin e Lartë, në pjesën e akreditimeve të programeve dhe gjatë emërimeve e avancimeve. Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE e pyeti nëse është në përputhje me detyrimet që ka marrë si përfituese granti të kandidojë në këtë pozicion, pasi për katër vjet duhet të punojë në institucionin përmes të cilit është përsosur, ajo tha se një kusht i tillë nuk ekziston në kontratën që ka nënshkruar. Në pyetjen nëse një anëtar i familjes së saj mban aktualisht ndonjë funksion, ajo tha se nëna e saj është gjyqtare në Gjykatën e Apelit, por mohoi që dikush nga familja të jetë anëtar i ndonjë partie politike.

Borçe Stojanovski theksoi se vjen si punonjës i KSHPK-së, nga departamenti për kontrollin e pasurisë dhe se është person kontakti për shkëmbimin e të dhënave me vendet e tjera. Ai është në KSHPK që nga viti 2015, por pohoi se askush deri tani nuk i ka bërë presion politik, as nuk ka pasur presion nga brenda rreth lëndëve në të cilat ka punuar.
“Edhe nëse ka presione, unë ashtu si shumica në KSHPK nuk punojmë si të tjerët në shtet. Kemi një prag të lartë rezistence, pavarësisht se nga cili autoritet i lartë vijnë ato presione,” tha Stojanovski para Komisionit. Megjithatë, ai u pajtua me vlerësimet se besimi te KSHPK tani është i vogël dhe se ajo nuk është e përditësuar. Me këtë rast ai njoftoi se në departamentin për ndjekjen e gjendjes pasurore deri në vitin 2023 kishin mbetur 440 lëndë të papërfunduara, për çka zgjidhjen e shihte në digjitalizimin e mëtutjeshëm i cili ka filluar por nuk është i mjaftueshëm dhe i cili do të mundësojë kontrollin e pasurisë në baza javore me një vegël përkatëse që do të nxjerrë “flamuj të kuq” me çdo ndryshim të gjendjes.
Si njohës i KSHPK-së nga brenda, ai rekomandoi nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet e tjera, e para së gjithash me Greqinë dhe Shqipërinë (me Serbinë dhe Malin e Zi ekzistojnë tashmë) për shkëmbimin e të dhënave rreth pasurive, duke thënë se tani po blihen masivisht pasuri jashtë dhe po transferohen mjete të keqpërdorura atje, ndërsa ata nuk kanë mënyrë se si t’i lokalizojnë, duke përmendur Greqinë si shembullin më të mirë. Për kriptovalutat, ai gjithashtu vlerësoi se tani janë jashtë radarit të institucioneve tona, edhe pse aty qarkullojnë para të mëdha.
Edhe ai u angazhua për forcimin e politikës ndëshkimore të KSHPK-së dhe njoftoi se nga institucioni tashmë kanë kërkuar që të dorëzohen fletëanketat një herë në vit, dhe jo si tani kur ka ndryshim të gjendjes, me çka do të zgjidhet edhe problemi me ata që nuk i kanë dorëzuar në mënyrë digjitale. Ai u ankua edhe për humbjen e statusit të veçantë të KSHPK-së, pasi tani nëpunësit shtetërorë i kanë arritur madje edhe i kanë tejkaluar me paga, edhe pse kishin arritur t’i rrisnin ato për 30 për qind. Konfirmoi se Ligji për Konfliktin e Interesit, i përgatitur nga qeveria e kaluar në vitin 2023, qëndron, por edhe se ka pasur lëndë në KSHPK për të cilat nuk është vepruar me vite. Personalisht ai vlerësoi se përparësia e KSHPK-së është se është institucion i pavarur dhe anëtarët zgjidhen në seancë publike, por si dobësi theksoi se është e ekspozuar ndaj presioneve politike dhe nuk ka mjete financiare të mjaftueshme për të qenë më efikase.
Përndryshe, shpallja u hap pasi ish-anëtarja e antikorrupsionit, Cveta Ristovska dha dorëheqje për shkak të skandaleve të lidhura me të. KSHPK, ku ajo ishte anëtare, i hapi lëndë për konflikt interesi, sepse firma e djalit të saj kishte marrë para nga partitë para zgjedhjeve, si dhe për mosdeklarim të pasurisë së dy firmave në pronësi të djemve.
Zgjedhja e zëvendësimit të saj do të bëhet me pikëzimin e kandidatëve, ndërsa komisioni është formuar nga Maja Atanasova nga Shoqata e Juristëve të Rinj, Bardhyl Jashari nga Fondacioni Metamorfozis, Sonja Trifunovska e cila është zëvendëse e Avokatit të Popullit si dhe nga një deputet nga VMRO-DPMNE, VLEN, SDSM dhe BDI. Më së voni, për pesë ditë, lista e zgjedhur me pikëzimin e kandidatëve duhet të kthehet në Komisionin për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve, dhe të zgjidhet kandidati që do të marrë më shumë pikë.
- LEXO: Cveta Ristovska dha dorëheqje nga pozicioni i saj si anëtare e KSHPK-së
- LEXO: Pasuria në antikorrupsionin e RMV-së, kryetarë që “fshihen” pas grave dhe prindërve
Kujtojmë se sipas Raportit në hije për Kapitullin 23 të Institutit për Politika Evropiane (EPI), ndryshimet e mëparshme në Kodin Penal kanë pasur ndikim negativ në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Institucionet kryesore vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh dhe kapacitetesh, ndërsa disa zhvillime institucionale dhe strategjike synojnë përmirësimin e sistemit antikorrupsion.
Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.