Mes reformave dhe skandaleve, vetëm 18% e Strategjisë Kombëtare kundër korrupsionit është realizuar

Periudha tetor 2024 – shtator 2025 është karakterizuar nga progres i kufizuar në luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Sipas Raportit në hije për Kapitullin 23 të Institutit për Politika Evropiane (EPI), ndryshimet e mëparshme në Kodin Penal kanë pasur ndikim negativ në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Institucionet kryesore vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh dhe kapacitetesh, ndërsa disa zhvillime institucionale dhe strategjike synojnë përmirësimin e sistemit antikorrupsion. Megjithatë, raportet ndërkombëtare tregojnë se progresi mbetet i kufizuar dhe se nevojiten reforma të thella ligjore dhe institucionale për të rritur efektivitetin e luftës kundër korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

Lufta kundër korrupsionit mbetet sfidë për institucionet

Raporti thekson se ndryshimet e fundit në Kodin Penal kanë ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë, duke kontribuar në mungesën e progresit të dukshëm në këtë fushë. Vlerësimet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë Transparency International, Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe Freedom House, nuk tregojnë përmirësime të dukshme dhe theksojnë nevojën për forcimin e institucioneve dhe rritjen e burimeve për luftën kundër korrupsionit.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian e vlerëson nivelin e përgatitjes së vendit në këtë fushë si midis “të mjaftueshëm dhe të moderuar”, ndërsa rekomandimet kryesore vazhdojnë të përsëriten: miratimi i një Kodi të ri Penal në përputhje me standardet e BE-së, përmirësimi i zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme për institucionet përgjegjëse.

“Rekomandimet e mëparshme janë përsëritur, duke përfshirë miratimin e një Kodi të ri Penal në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare, përmirësimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, dhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për Zyrën e Prokurorit Publik – NKOK dhe KSHPK-në”, thuhet në dokument.

Nga 23 rekomandimet e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO), vetëm 17 janë zbatuar në mënyrë të kënaqshme, ndërsa të tjerat mbeten të zbatuara pjesërisht.

Adem Çuçul, kryetar i Antikorrupsionit
Adem Çuçul, kryetar i Antikorrupsionit. Fotografi nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

Turbulencat dhe aktivitetet e Komisionit Antikorrupsion

Periudha e raportimit u shënua nga zhvillime të rëndësishme në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Kryetarja e institucionit dha dorëheqjen pas akuzave për zbulim të sekreteve zyrtare në rastin “Aditiv”. Sipas hetimeve, ajo dyshohet gjithashtu për falsifikim kompjuterik në lidhje me marrjen e një certifikate sigurie për qasje në informacione të klasifikuara.

Parlamenti nisi procedurën për zgjedhjen e një kryetari të ri, por procesi u pezullua për shkak të zgjedhjeve lokale.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, KSHPK vazhdoi aktivitetet e saj. Në vitin 2024 institucioni pranoi 689 raportime për dyshime për korrupsion dhe hapi 78 raste sipas detyrës zyrtare, duke nxjerrë gjithsej 742 vendime në fusha të ndryshme, përfshirë korrupsionin, konfliktin e interesit dhe financimin e fushatave zgjedhore.

Megjithatë, zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit mbetet i kufizuar. Raporti vjetor i KSHPK-së për vitin 2024 tregoi se vetëm 18% e aktiviteteve të planifikuara janë realizuar plotësisht, ndërsa gjysma e tyre nuk kanë filluar ende.

“Gjatë vitit 2024, KSHPK-ja mori 689 raporte për dyshime për korrupsion dhe hapi 78 raste ex officio. Ajo lëshoi ​​gjithsej 742 vendime: 353 në lidhje me korrupsionin, 98 për konflikt interesi, 60 për financimin e fushatave zgjedhore dhe 231 për listat anketuese. Raporti vjetor i vitit 2024 mbi zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit tregoi se vetëm 18% e aktiviteteve të planifikuara janë zbatuar plotësisht, 32% janë në vazhdim dhe 50% nuk ​​kanë filluar. Progresi më i madh është vërejtur në zbatimin e ligjit dhe sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, ndërsa zbatim i kufizuar është vërejtur në sektorët e planifikimit urban, mjedisit, bujqësisë dhe sportit. Përveç kësaj, KSHPK publikoi Raportin e saj të Monitorimit të Zbatimit të Sistemit të Integritetit për vitin 2024, duke mbuluar 72 institucione të qeverisë qendrore, 72 autoritete lokale dhe 16 institucione gjyqësore. Raporti vuri në dukje mangësi të përhapura, duke përfshirë mungesën e rregullave të brendshme të konfliktit të interesit, rregullimin e pamjaftueshëm të dhuratave dhe mikpritjes, shkallët e ulëta të certifikimit ISO dhe trajnimin dhe monitorimin e kufizuar në lidhje me integritetin”, thuhet në raport.

Institucioni gjithashtu identifikoi mangësi të shumta në sistemin e integritetit të institucioneve publike, përfshirë mungesën e rregullave për konfliktin e interesit dhe rregullimin e pamjaftueshëm të dhuratave dhe mikpritjes.

prokuroria
Prokuroria Publike, Shkup. Foto: Portalb.mk

Prokuroria përballet me mungesë kapacitetesh dhe raste komplekse

Sipas raportit, prokuroritë publike vazhdojnë të përballen me sfida serioze për shkak të mungesës së stafit dhe burimeve financiare. Në vitin 2024, katër prokurori në vend funksiononin pa asnjë prokuror publik.

“Raporti i fundit mbi prokuroritë publike tregon sfidën e vazhdueshme me të cilën përballen ato në numrin në rritje të rasteve në lidhje me numrin e reduktuar të prokurorëve publikë, me deri në katër prokurori publike në vend që mbeten pa asnjë prokuror publik në vitin 2024 – Resnjë, Dellçevë, Berovë dhe Kriva Pallankë. Pajisjet teknike të vjetruara dhe burimet e pamjaftueshme financiare, së bashku me stafin e kufizuar të prokurorive publike, mbeten sfida të mëdha për këto institucione. Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdoi të hetojë raste politikisht të ndjeshme, ndërsa prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut lëshoi ​​një udhëzim të detyrueshëm për të gjithë prokurorët publikë në vend që të përparësojnë rastet e korrupsionit dhe ato me interes të veçantë publik. Rasteve të tilla duhet t’u jepet përparësi edhe nga qendrat hetimore të prokurorive publike me qëllim mbrojtjen e interesit publik. Në vitin 2025, ky udhëzues u ndryshua në lidhje me procedurat për dhënien e të dhënave dhe informacionit mbi llogaritë bankare, pronën ose objektet me interes të vendosura jashtë vendit, të cilat janë relevante për rastet e lidhura me korrupsionin dhe zbatohen për të gjithë personat e përfshirë në akte të lidhura me korrupsionin, pavarësisht nga roli ose statusi i tyre. Këto ndryshime rezultuan nga një takim të mbajtur me përfaqësuesit e qendrës analitike të specializuar në Europol, përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, ku u diskutuan mundësitë për vendosjen e një bashkëpunimi më të thellë në rastet e lidhura me korrupsionin”, thuhet në raport.

Megjithatë, Prokuroria Publike ka vazhduar të hetojë disa raste të rëndësishme të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një nga rastet më të mëdha të periudhës ishte hetimi pas zjarrit tragjik në një klub nate në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 160 të tjerë u plagosën. Hetimi çoi në akuza kundër 34 individëve dhe tre kompanive për shkelje të rënda të sigurisë publike.

Gjithashtu vazhduan procedurat në disa raste të profilit të lartë, përfshirë rastin “Aditiv”, që lidhet me dyshime për abuzim në prokurimin publik dhe pastrim parash në sektorin energjetik.

Prokuroria ka nisur edhe hetime të shumta për korrupsion që përfshijnë zyrtarë publikë, përfshirë ish-ministra, drejtues institucionesh, kryetarë komunash dhe zyrtarë policorë. Një hetim i madh i njohur si “Sindroma” përfshin 36 persona të dyshuar për ndërmjetësim të paligjshëm në përfitimin e pensioneve të invaliditetit në këmbim të ryshfetit.

“Rasti, i titulluar “Sindroma”, zbuloi dyshime të arsyeshme për disa vepra penale, përkatësisht: bashkim kriminal, pranim dhe dhënie ryshfeti dhe marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm. Deri më tani, 13 të pandehur kanë lidhur marrëveshje pranimi fajësie me prokurorinë dhe, bazuar në to, Gjykata Themelore Penale në Shkup ka lëshuar disa vendime. Për të pandehurit e mbetur, zyra e prokurorit publik i propozoi gjykatës të zgjasë masat e sigurisë që u janë vendosur tashmë. Ka filluar gjykimi i ish-drejtorëve të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, në kuadër të rastit “Onkologjia 2″. Të pandehurit akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit, mashtrim dhe përvetësim në shërbim, si dhe shkaktim të dëmit në buxhet prej mbi 2.2 miliardë denarësh duke blerë në mënyrë të paligjshme ilaçe pa pëlqimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, thuhet në raport.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Foto nga Portalb.mk
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Foto nga Portalb.mk

Nevoja për reforma në kuadrin ligjor

Raporti thekson se përmirësimi i kuadrit ligjor mbetet një element kyç në luftën kundër korrupsionit.

Në përgjigje të rekomandimit të Komisionit Evropian për një Kod të ri Penal, Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar se kishte përgatitur një draft të ri dhe e kishte dorëzuar për mendim në KE. Po ashtu ishte paralajmëruar edhe përgatitja e ndryshimeve në Kodin Penal ekzistues për të korrigjuar pasojat e ndryshimeve të vitit 2023, të cilat u vlerësuan se kishin dobësuar luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, zhvillimet e fundit, përfshirë miratimin e ndryshimeve të reja në Kodin Penal, nuk janë përfshirë në këtë raport, pasi periudha e tij e raportimit përfundon në shtator 2025. Ndryshimet e miratuara më vonë janë shoqëruar me kritika nga ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët vlerësojnë se ato paraqesin vetëm një “zgjidhje kalimtare” dhe mund të krijojnë pasiguri juridike dhe rrezik për regres në luftën kundër korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, propozimet për ndryshime në Ligjin për Prokurimin Publik kanë shkaktuar kritika nga organizatat e shoqërisë civile dhe KSHPK-ja, të cilat paralajmëruan se disa prej tyre mund të dobësojnë mekanizmat kundër korrupsionit, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike.

“Në mesin e shkurtit, një projektligj që ndryshon Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit u botua në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER). U vu re se këto ndryshime kishin për qëllim të adresonin mangësitë e identifikuara në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, të cilat patën ndikim negativ në efikasitetin e KSHPK-së dhe zbatimin e ndalimeve dhe përgjegjësive të përcaktuara. KSHPK-ja dhe Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit shprehën shqetësime në lidhje me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Prokurimin Publik, të cilat, sipas tyre, u miratuan me nxitim pa konsultim të gjerë publik ose analizë të plotë. Ata kritikuan heqjen e kontrollit administrativ mbi prokurimin publik nga Byroja e Prokurimit Publik dhe ndryshimet e propozuara në përbërjen e Komisionit Shtetëror për Ankesat e Prokurimit Publik, duke argumentuar se kjo mund të dobësonte masat kundër korrupsionit. Pas këtyre reagimeve, ndryshimet u tërhoqën nga procedura urgjente dhe u dorëzuan në procedurën e rregullt legjislative në të cilën Parlamenti i miratoi ato, duke përfshirë dispozitat e kontestuara”, thuhet në raport.

Në përgjithësi, raporti vlerëson se edhe pse janë ndërmarrë disa hapa institucionalë dhe strategjikë, lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me sfida serioze. Progresi mbetet i kufizuar dhe kërkon reforma më të thella ligjore, forcim të institucioneve dhe zbatim më të vendosur të politikave antikorrupsion.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.