Padi ndaj ish-drejtorit nën dyshimet se ka keqpërdorur mbi një milion denarë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 57 vjeçarit i cili dyshohet se në periudhën sa ishte drejtor i ndërmarrjes publike, ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 1 095 438 denarë, transmeton Portalb.mk.

“Ai, duke iu referuar Marrëveshjes Kolektive për Rregullimin e të Drejtave, Detyrimeve dhe Përgjegjësive të Punëtorëve në Ndërmarrjen Publike “Komunalec” – Strumicë, ka marrë vendime për pagesën e kompensimit monetar, përkatësisht vendime për kompensimin e ditëve të pashfrytëzuara të pushimit vjetor për të dhe për disa persona të tjerë të punësuar në ndërmarrjen publike”, sqaroi Policia.

I dyshuari, për këtë arsye vetëm në vitin 2022 afër 600 mijë denarë i ka shpenzuar te 24 persona dhe të vetja, ndërsa në vitin 2023 i ka shpenzuar rreth 500 mijë denarë për veten dhe 21 tjerë.

Për këtë arsye, Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj 57 vjeçarit Z.G. për periudhën sa ishte drejtor i Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Strumicë.