Në Hagë fillon me punë qendra ndërkombëtare për hetim të luftës në Ukrainë
Sot në Hagë do të hapet Zyra Ndërkombëtare për hetimin e pushtimit Rus të Ukrainës. Ky është një hap i parë drejt krijimit të një gjyqi të mundshëm për kërkim të përgjegjësisë së udhëheqësve në Moskë, raporton Guardian, transmeton Portalb.mk.
Në këtë Zyrë do të marrin pjesë prokurorë nga Ukraina, BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, raporton agjencia France-Presse.
Zyra do të hetojë dhe do të mbledhë prova, ndërkaq aktivitetet e saj shihen si një hap i përkohshëm përpara krijimit të një Gjykate Speciale që do të mund të sjellë para drejtësisë zyrtarët e Kremlinit për nxitjes së luftës në Ukrainë.
Lidhur me situatën në fushën e betejës në Ukrainë, në përditësimin e saj të rregullt, zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar sërish tha se vendi po fiton në lindje dhe jug, duke shtuar se 37.4 kilometra katrorë territor ishin kthyer nën kontrollin e forcave të armatosura ukrainase.
Në deklaratën e saj të transmetuar nga Ukrinform, Maliar tha se forcat mbrojtëse të Ukrainës në jug po përparojnë gradualisht në drejtimet e Berdyansk dhe Melitopol, ku luftimet e ashpra po vazhdojnë, ndërsa në lindje forcat ruse po përparojnë në drejtimet Avdiivka, Marinka dhe Liman.
Për Bakhmut-in, Maliar tha se forcat ukrainase “po përparojnë dhe kanë sukses të pjesshëm në krahun jugor”.
Sulmet me raketa ruse në Ukrainë vazhduan gjatë 24 orëve të fundit. Ukrinform raportoi se ka pasur sulme në Kherson, Donetsk, Zaporizhia dhe Dnipropetrovsk.
Agjencia ukrainase e lajmeve njoftoi gjithashtu se pas sulmit rus në Kramatorsk më 27 qershor, ka ndërruar jetë në spital, shkrimtarja Viktoria Amelina. Ajo ishte në Kramatorsk me një delegacion shkrimtarësh dhe gazetarësh kolumbianë dhe ndërsa po darkonin në një restorant në qendër të qytetit, Rusia kreu një sulm me raketa ndaj këtij objekti.
Amelina iu bashkua organizatës së të drejtave të njeriut “Truth Hounds” vitin e kaluar dhe dokumentoi krimet ruse të luftës në territoret e çliruara në pjesët lindore, jugore dhe veriore të Ukrainës, veçanërisht në Kapitolivka pranë Izium, ku gjeti ditarin e Volodymyr Vakulenko-s, shkrimtar ukrainas të vrarë nga rusët.