RMV, një pjesë e bursave dhe mbështetjes për transport ndërurban për studentët do të paguhen deri nesër

Studentët që i vazhduan bursat më së voni deri nesër do t’i marrin mjetet për disa muaj, njoftuan për Meta.mk nga MASH-i, pas reagimeve të studentëve se bursat e tyre u vonuan me muaj të tërë, transmeton Portalb.mk.

Për përfituesit e rinj të bursave, të cilët këtë vit kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, bursat do të paguhen gjatë javës së ardhshme.

Mbështetja financiare për transportin ndërurban për studentët për muajin janar do të paguhet më së voni deri nesër. Studentët këtë përkrahje prej 1200 denarë e marrin nga dhjetori dhe duhet t’u paguhet në baza mujore deri në qershor.

Edhe pse ka kaluar muaji janar, studentët nuk kanë marrë ende fondet mujore për transportin me autobus nga vendbanimi në vendin e studimit.

Urdhrat për pagesën e bursave për përfituesit ekzistues dhe shpenzimet e udhëtimit janë dorëzuar në thesar dhe presim që sot ose nesër të zbatohen. Ndërsa javën e ardhshme do të bëhet pagesë për përfituesit e rinj të bursës, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga MASh për një sërë pyetjesh të dërguara nga Meta.mk.

Studentët që janë përfitues ekzistues ose të rinj të bursave studentore janë planifikuar të marrin bursë gjatë nëntë muajve, pra nga tetori deri në qershor. Mirëpo, deri në këtë moment në llogaritë e tyre nuk ka arritur asnjë këst i bursave për vitin aktual shkollor.

Bursat, ndërkaq, janë 6.050 denarë, me përjashtim të bursave për programet studimore në kimi, fizikë dhe matematikë, si dhe ato për shkencat bujqësore, veterinare dhe pyjore, të cilat janë 18.000 denarë në muaj.

Ndryshe, filloristët, nxënësit e shkollave të mesme, studentë dhe pensionistë janë kategoritë e para që mbulohen nga paketa e re e masave, për të cilat ofrohet ndihmë financiare disamujore. Për masat janë ndarë,  156 milionë euro nga buxheti.