RMV, një nxënëse shpenzon 420 denarë në muaj për produkte menstruale
Një nxënëse e shkollës së mesme, shpenzon mesatarisht 420 denarë në muaj për produkte menstruale, që është pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve mujore të një familjeje, thuhet në analizën e bërë nga organizata Rrjeti ballkanik i ujësjellësit. Ata anketuan 328 vajza të shkollave të mesme nga pesë shkolla të mesme në Shkup dhe analizuan kostot e llojeve të ndryshme të produkteve menstruale, transmeton Portalb.mk.
“Kostoja mujore prej 420 denarë mund të konsiderohet si barrë financiare, veçanërisht për familjet me disa femra në periudhën riprodhuese, si dhe familjet me të ardhura të ulëta”, vlerësojnë nga organizata.
Kjo analizë është realizuar në kuadër të iniciativës “Lufta kundër varfërisë menstruale – premtim i paplotësuar elektoral”, të realizuar nga Rrjeti ballkanik i ujësjellësit, në kuadër të projektit “Mbështetje për reformat zgjedhore” të Qeverisë së Zvicrës, zbatuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES)”. Qëllimi i nismës është të monitorojë përgjegjshmërinë dhe realizimin e premtimit zgjedhor të DOM-it për zhdukjen e varfërisë menstruale.
“Qyteti i Shkupit duhet të ndajë 1.091.808 euro në vit për nevojat e të gjitha gjimnazeve, përkatësisht për produkte menstruale për 13.314 nxënëse, pra 5.591.880 denarë ose 90.984 euro në muaj. Pecetat për përdorim më të gjatë u identifikuan si opsioni më i përshtatshëm me kosto të reduktuara në afat të gjatë. Vlerësohet se përdorimi i pecetave të ripërdorshme do të zvogëlonte koston mujore të produkteve menstruale me më shumë se 94 për qind në krahasim me përdorimin e produkteve standarde”, qëndron në kumtesën e organizatës.
Ng atje konstatuan se qasja në produkte menstruale të përballueshme dhe të pranueshme ekonomikisht është kritike për sigurimin e drejtësisë menstruale dhe parandalimin e varfërisë menstruale.
“Rrjeti ballkanik i ujësjellësit bën këto rekomandime: Qyteti i Shkupit dhe institucionet përkatëse duhet të shqyrtojnë dhe të miratojnë masa për të ofruar produkte menstruale falas ose të subvencionuara për gratë dhe vajzat me të ardhura të ulëta. Institucionet arsimore më pas duhet të ofrojnë edukim dhe ndërgjegjësim për shëndetin menstrual dhe opsionet alternative për produktet menstruale, me fokus vajzat e reja”, thuhet në rekomandime.
Është gjithashtu e nevojshme, sipas tyre, të investohet në kërkimin dhe zhvillimin e produkteve alternative ekonomikisht të pranueshme dhe të qëndrueshme për menstruacionet.
“OJQ-të dhe komuniteti duhet të vazhdojnë ndërgjegjësimin edhe mbi drejtësinë menstruale, me fokus në grupet socio-ekonomike të cenueshme. Nevoja për informim dhe edukim u shfaq nga debatet me nxënëset që nuk dinë për iniciativën, tema si varfëria menstruale dhe higjiena menstruale janë të panjohura për to, madje edhe tabu, zgjidhjet alternative i dinë vetëm një pjesë shumë e vogël dhe ato nuk janë as të njohur me mundësitë e monitorimit të llogaridhënies së institucioneve”.
Analiza e plotë e kostos gjendet në këtë link.