RMV, një familje katër anëtarëshe, vetëm me plotësimin e nevojave bazë do të mund të mbijetojë me 56.522 denarë në muaj

Një familje me dy prindër dhe dy fëmijë nxënës që jetojnë në banesën e tyre prej 60 metrash katrorë në Shkup. Familja blen vetëm ushqimet bazë dhe i krahason produktet, duke kërkuar ato me çmime më të ulëta. Ata mund të përballojnë vetëm sendet bazë shtëpiake. Kur blejnë rroba, gjithmonë u japin përparësi produkteve që kanë zbritje. Ata kanë një makinë të vogël, ndërsa fëmija i madh ka gjithashtu biletë mujore autobusi. Të gjithë anëtarët e familjes janë të shëndetshëm dhe përdorin kryesisht shërbimet shëndetësore parandaluese ose më të nevojshme. Ata nuk kanë mundësi të hanë në restorante, vetëm dy herë në muaj mund të blejnë ushqim nga një dyqan sanduiçësh dhe në qershor shkojnë me pushime në një shtëpi njëkatëshe në Dojran për 7 ditë. Për t’i bërë të gjitha këto, kësaj familjeje do t’i nevojiten 56.522 denarë në muaj, nëse nuk kanë marrë banesë me qira, nuk kanë kredi dhe nëse nuk u prishet vetura, transmeton Portalb.mk.

Këtë e tregon shporta e fundit minimale sindikale e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), e cila sot është prezantuar para publikut, ndërsa autorë të saj janë Nikolla Popovski dhe Dragan Tevdovski. Metodologjia e re e shportës minimale sindikale tregon trende shqetësuese në raport me standardin me të cilin duhet të jetojnë qytetarët e Maqedonisë. Në të llogariten me detaje çmimet e reja, më të larta të produkteve.

Për herë të parë, shporta minimale sindikale në vend u prezantua 12 vjet më parë dhe sipas autorëve përmbante një sërë mangësish që e bëjnë atë të papërshtatshme për nevojat e ndryshuara të një familjeje moderne katër anëtarësh që duhet të kishte kushte të mira jetese dhe tejkalim të pragut të varfërisë.

“Krahasuar me shportën minimale të mëparshme sindikale, në seksionin e ri për ushqimet dhe pijet, përcaktohen sasi më të mëdha dhe më reale për të ushqyerit sipas standardeve për përbërjen reale biokimike të nevojshme për të ruajtur jetën dhe kapacitetin optimal të punës së anëtarëve të familjes. Janë shtuar gjithashtu dhe janë zgjeruar artikujt e veshjeve dhe këpucëve që janë reflektim i nevojave reale të  një familjeje prej katër anëtarësh. Në seksionin e transportit, makina është nrisi, e cila është një domosdoshmëri për çdo familje për të kryer aktivitetet e përditshme të familjes. Shtohen edhe kostot e arsimit që janë të nevojshme në procesin e përgjithshëm të edukimit të fëmijëve. Shëndetësisë i janë shtuar paketat bazë për shërbimet shëndetësore parandaluese apo më të nevojshme. Në rubrikën e restoranteve dhe hoteleve, shtohet se familja mund të përballojë të hajë ushqim nga një dyqan sanduiçësh dy herë në muaj, dhe një herë në vit në qershor, ata mund të përballojnë të shkojnë me pushime në një shtëpi njëkatëshe në Dojran për 7 ditë”, shkruan në publikim.

Me këtë, vlera e shportës minimale sindikale për muajin dhjetor 2023 me metodologjinë e re është 56.522 denarë, ndërsa sipas metodologjisë së vjetër për muajin nëntor është 44.699 denarë dhe nominalisht është rritur për 11.823 denarë, gjegjësisht me 26.45 për qind.

Nevojë e domosdoshme për rritje page

Sipas publikimit, kostoja e jetesës për një familje me katër anëtarë është rritur dhe nëse para analizës së re nevojiteshin dy paga minimale për të mbuluar shportën minimale sindikale, sipas përllogaritjes së re të shportës minimale të re sindikale, momentalisht të nevojshme janë një pagë mesatare dhe një minimale për ta mbuluar të njëjtën.

Vlera e shportës minimale sindikale është në rritje të vazhdueshme, megjithëse në vitet e para rritja është minimale, në ndryshim nga viti 2022 kur u rrit me 47,82% në raport me të parën, tregon një rritje reale konstante të kostos së jetesës për një familje me katër anëtarë

Analizat e deritanishme tregojnë se punëtori që merr pagë mesatare të paguar në vend, e cila në katër vitet e fundit varion nga 27.500 denarë deri në 37.800 denarë, mund të mbulojë 77-85 për qind të nevojave të familjes së tij katër anëtarëshe duke marrë parasysh vlerën aktuale të shportës minimale sindikale.

Sipas metodologjisë së re për llogaritjen e shportës minimale sindikale, vlera e shportës prej 56.522 denarë, paga mesatare mund të mbulojë 67,01 për qind nga vlera e përgjithshme e produkteve dhe shërbimeve të përfshira në përllogaritje.

“Me pagën minimale prej 20,175 denarë në nëntor 2023, mbulohen 45,14 për qind nga shpenzimet e llogaritura në shportën minimale sindikale, e cila për muajin nëntor ishte 44,699 denarë, vlera e re e shportës së pagës minimale do të mbulojë vetëm 35,69 për qind”, thuhet në botim.

Ndryshe, në Mal të Zi vlera e shportës minimale është 1.850 euro, ndërsa në krahasim me atë maqedonase është më e lartë për 957 euro, në Bosnje dhe Hercegovinë vlera e ShMS-së është 1.263 euro dhe në krahasim me tonën është më e lartë për 370 euro, ndërsa në Serbinë fqinje është 425 euro dhe është më e ulët se e jona për 468 euro.

LSM beson se të gjitha këto vëzhgime për rritjen e kostos së jetesës dhe nevojën për një llogaritje reale të shportës minimale sindikale duhet të jenë pikënisja për krijimin e politikave dhe standardeve për rritjen e të gjitha pagave në shtet, të paktën për rritjen në koston e jetesës për të mbajtur fuqinë blerëse të qytetarëve.

E gjithë kjo do të sigurojë një standard më të mirë jetese dhe tejkalim të pragut të varfërisë për një numër më të madh të punëtorëve dhe familjeve të tyre, thonë nga LSM, duke shtuar se në mars të vitit 2024, me harmonizimin e pagës minimale të ketë edhe një përshtatje me të njëjtën rritje edhe të pagave të punonjësve tjerë.

Llogaritja e re e shportës minimale sindikaliste, sipas LSM, duhet të jetë një alarm për të gjithë punëdhënësit, pushtetin qendror dhe atë lokal, për të rritur menjëherë pagat e punonjësve.