Përgjigje e dobët ndaj grevës së paralajmëruar në NTP Shkup, autobusët qarkullojnë normalisht, kërkesat do të aktivizohen nga shtatori

Për shkak të përgjigjes së dobët të punëtorëve të Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkupi”, greva e paralajmëruar e sindikatës “Spice” sot zgjati vetëm dy orë. Mëngjesin e sotëm në orën 04:30 para selisë së ndërmarrjes publike në Autokomandë ishin vetëm tridhjetë punonjës protestues dhe gjatë kësaj kohe kolegët e tyre me autobusët nisën të qarkullojnë sipas orarit të mëngjesit, transmeton Portalb.mk.

Ata që ishin në protestë vendosën të tërhiqen dhe të vazhdojnë të punojnë në interes të qytetarëve dhe do të vazhdojnë të kërkojnë kërkesat e tyre nga shtatori.

Sindikata “Spice”, të cilët ishin organizatorë të grevës, thonë se nuk do të ndalen me kaq dhe njoftojnë se nga shtatori, kur siç thanë ata do të jenë më të gatshëm, do të vazhdojnë me kërkesat e tyre. Më pas, siç thonë nga atje, punonjësit do të shohin se kush është sindikata e vërtetë dhe kush po lufton për të drejtat e tyre. Nga “Spice” thonë se nuk po kërkojnë asgjë që është jashtë sferës së ligjit dhe Kontratës Kolektive që kanë nënshkruar sindikatat përfaqësuese, por, siç theksojnë, nuk u intereson zbatimi i saj.

Arsyet e grevës, siç thanë dje nga “Spice”, janë kërkesat e paplotësuara dhe qëndrimi injores i menaxhmentit të ndërmarrjes publike lidhur me kërkesat që përmban Marrëveshja Kolektive. Gjithashtu, kërkojnë harmonizimin e pagës minimale me Kontratën Kolektive në nivel të punëdhënësit, gjegjësisht rritje prej 2.170 denarë për punëtorët e ndërmarrjes. Disa nga të punësuarit kanë thënë se do të grevojnë edhe për, siç thonë ata, shkelje të të drejtave të punësimit dhe sigurisë dhe shëndetit në punë.

Ndërmarrja e Transportit Publik, nga ana tjetër, përmes një komunikate konfirmoi se do të ketë grevë, por tha se funksionimi i transportit publik të qytetit do të jetë i rregullt dhe pa rezerva.

Nga NTP-ja thanë se arsyeja e grevës së Sindikatës së sapoformuar, e katërta me radhë, është jolegjitime pasi që nga 1 qershori është rritur paga e të gjithë punonjësve në ndërmarrjen publike.

Edhe vitin e kaluar punëtorët e ndërmarrjes publike nuk dolën për të vozitur për shkak të vonesës në dhënien e pagave brenda afatit ligjor të NTP “Shkupi”, por pas zgjidhjes së problemit autobusët vazhduan të qarkullojnë nëpër rrugët e Shkupit.