RMV, nesër pritet të vendoset rreth paralajmërimit për anulimin e fluturimeve në aeroporte

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski është i bindur se Sindikata e Kontrollit të fluturimeve do të heqë dorë nga paralajmërimi për grevë më 25 dhjetor dhe më 1 janar. Porositë qytetarët të jenë të qetë, sepse, siç deklaroi, po bëhet gjithçka. Sindikata, ndërkaq, me kryesinë e së cilës Boçvarski dhe pati takim, vendimin e fundit do ta sjellë në takimin e caktuar për nesër në mesditë.

Në inaugurimin e rrugës së ripërtërirë Manastir-Mexhitlia, Boçvarski deklaroi se takimi me kryetarin e Sindikatës së Kontrollit të fluturimeve, Aleksandar Tasevski, konkluduan se interesi i qytetarëve dhe i shtetit duhet të jetë para të gjithave dhe mbi të gjithat.

“Dje pata bisedë mjaft produktive me kryetarin e Sindikatës dhe konsideroj se ishte mjaft i dobishëm. Në takimin e kaluar në tetor, patëm katër çështje të cilat u hapën dhe në të gjitha po punohet në koordinim me Sindikatën, mbetet edhe një çështje për të cilën diskutuam dje. Qytetarët të jenë të sigurt se pi bëjmë gjithçka, ndërkaq jam i bindur se kontrolluesit do të heqin dorë nga ai paralajmërim, ata do të mbajnë takim të vetin. Por, pas asaj që e diskutuam, që të dy konkluduam se interesi i qytetarëve dhe i shtetit duhet të jetë para të gjithave dhe mbi të gjithat”, deklaroi Boçvarski, në pyetjen e gazetarëve.

Tasevski në deklaratën për MIA-n konstatoi se takimi në të cilin do të sjellin vendim lidhur me grevën do të mbahet nesër në orën 12:00.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut është paralajmëruar anulimi i fluturimeve në aeroportet e vendit nga Sindikata në M-NAV, në formë proteste rreth konkursit për punësim në këtë sektor. Për këtë Sindikata dhe Ministri për Transport dhe Lidhje janë takuar, por akoma nuk kanë gjetur zgjidhje.

Drejtori i M-NAV, Fahrudin Hamidi, shpreson se greva e kontrollorëve të trafikut ajror nga 31 dhjetori deri më 2 janar, e paralajmëruar nga Sindikata e Kontrollorëve për të parandaluar një valë të re të punësimeve partiake, nuk do të realizohet. Ai më pretendon se nuk është e vërtetë që ka bërë shpallje për këshilltar të pavarur në departamentin e burimeve njerëzore.

Më 15 dhjetor, nga Sindikata e Kontrolluesve të Trafikut Ajror i kanë dërguar njoftim drejtorit të M-NAV, Fahrudin Hamidi, se do të organizojnë grevë nga 31 dhjetori, festa e Vitit të Ri, deri më 2 janar, nëse nuk i tërheq dy konkurset e punës që i ka shpërndarë fshehurazi.

Sipas Aleksandar Tasevski, kryetar i Sindikatës së Kontrolluesve të Trafikut Ajror, menaxhmenti nën udhëheqjen e drejtorit Fahrudin Hamidi e ka shkelur marrëveshjen e nënshkruar para ministrit të transportit Blagoj Boçvarski, pasi që ka shfrytëzuar hapësirën që ka krijuar turma para festave dhe ka shpallur konkurs për punësim me kërkesa jo përkatëse.