RMV në vitin 2024 me Agjenci Digjitale, institucionet i shqyrtojnë mbi 90 vërejtje dhe sugjerime, thonë nga MSHIA

Deri në fund të vitit duhet të votohet ligji për themelimin e Agjencisë Digjitale, e cila pritet të jetë institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit. Institucionet po i shqyrtojnë vërejtjet dhe sugjerimet e palëve dhe deri në fund të vitit ligji pritet të dërgohet në Kuvend me flamur evropian, thanë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) në takimin joformal me gazetarët gjatë ditës së enjte, shkruan Portalb.mk.

“Tanimë është planifikuar në Buxhetin për vitin 2024 të MSHIA-së. Ligji duhej të ishte në ENER 20 ditë, po shterret afati. Kemi pasur një debat publik, do të kemi edhe një tjetër. Ka mbi 90 propozime, vërejtje dhe kërkesa shtesë për Agjencinë. Pritet që deri në fund të vitit Ligji për Agjencinë të votohet. E dini se ligji do të shkojë me flamur evropian pasi që ka dy direktiva, të cilat janë në harmonizim të plotë me direktivat dhe udhëzimet e BE-së”, thonë nga MSHIA.

Ata shtojnë se për shkak se ende nuk është themeluar si institucion, buxheti për është për funksionimin e këtij institucioni gjatë vitit 2024 do të jetë në kuadër të MSHIA-së, ndërkaq pas themelimit zyrtar, paratë do të transferohen tek Agjencia.

Agjenci për Transformim Digjital parashihet të mbulojë 4 shtylla:

  1. Siguria kibernetike e cila do të duhet t’i mbrojë të gjitha institucionet.
  2. Infrastruktura digjitale, që sipas standardeve të BE-së deri në vitin 2030 do të duhet që çdo qytetar i vendit të ketë qasje në internet të shpejtë.
  3. Trajnimi i qytetarëve dhe të punësuarve për përdorimin e shërbimeve elektronike.
  4. Zgjidhja softuerike, gjegjësisht do të ketë koordinim mes Agjencisë dhe institucioneve për përdorimin e softuerëve të ndryshëm.

Formimi i kësaj Agjencie është paralajmëruar që në vitin 2021 kur ministër i MSHIA-së ishte Jeton Shaqiri. Asokohe, ministri, në një intervistë për Portalb.mk theksoi se digjitalizimi do të bëhet nëpërmjet Agjencisë Digjitale, ndërkaq po punojnë në përpilimin e ligjit.

Në shtator të këtij viti, në një intervistë të ministrit aktual të MSHIA-së Azir Aliu për Portalb.mk tha se me themelimin e kësaj agjencie, në vitin 2030 shteti jonë do të ketë pasqyrë digjitale shumë të mirë se sa e ka sot.