“Tetova Transport” për gjashtë muaj shiti afër 140 mijë bileta të autobusëve, doli me rezultat financiar pozitiv (Infografik)

Interesimi i qytetarëve në Tetovë për të përdorur transportin publik është në rritje, këtë e thonë të dhënat nga shitja e biletave për autobusë të cilat Portalb.mk i siguroi nga raportet e punës dhe ata financiare të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”. Për gjashtë-mujorin e parë të vitit 2023 janë shitur afër 140 mijë bileta, ndërsa periudhën e njëjtë të vitit 2022 u shitën 12.698 bileta. Për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku ndërmarrja doli në minus 2.8 milionë denarë, gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 ndërmarrja ka dalë me raport financiar pozitiv prej afër 2 milionë denarësh.

Në bazë të të hyrave të regjistruara në periudhën janar – qershor përmes tre linjave të autobusëve janë shitur në total 139.539 bileta të autobusëve, edhe atë: 139,380 bileta për një drejtim, 128 bileta mujore si dhe 31 bileta vjetore.

Nga 01.01.2023 deri më 30.06.2023 “Tetova Transport” ka realizuar të hyra në vlerë prej 11.891.396 denarë dhe shpenzime në vlerë prej 9.934.500 denarë. Rezultati është pozitiv prej 1.956.896 denarëve.

Gjatë kësaj periudhe ndërmarrja të hyrat i ka realizuar nga shitja e biletave dhe subvencionimi nga ana e Komunës së Tetovës (mbi 5.6 milionë denarë), transporti i organizuar dhe transporti i nxënësve si dhe të hyra tjera.

Në vizualizimin e mëposhtëm mund të shihen edhe shifrat e raporteve financiare të ndara në dy tremujore për vitin 2023.

Infografik: Portalb.mk
Infografik: Portalb.mk

Për periudhën e njëjtë gjashtëmujore të vitit 2022, ndërmarrja ka dalë në humbje prej 2.8 milionë denarë. Në këtë gjashtëmujor ndërmarrja ka transportuar 12.698 udhëtarë (apo aq bileta ka shitur). Sipas raportit të punës të ndërmarrjes, në këtë periudhë, nuk ka pasur qarkullim të biletave mujore dhe vjetore, si dhe nga udhëtarët me bileta të personalizuara.

Portalb.mk vizualizoi krahasimin e raporteve financiare gjashtëmujore të vitit 2022 dhe të atij 2023. Dallimi është se në vitin 2022 rezultati ishte minus prej 2.8 milionë denarë, ndërsa në vitin 2023 është plus afër 2 milionë denarë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vitin 2022 NP “Tetova Transport” e mbylli me rezultat financiar negativ prej -4.2 milionë denarëve. Ndërkaq Këshilli Komunal në shkurt të vitit 2023 vendosi që të subvencionojë ndërmarrjen në bazë të kilometrave të kaluara, konkretisht 150 denarë për kilometër në mënyrë që ndërmarrja të funksionojë më mirë dhe mos të ketë pengesa të natyrës financiare, shembull ky i marrë sipas ndërmarrjeve tjera për transport publik.

Përndryshe, Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”- Tetovë është e themeluar me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës me 30.09.2019. Ndërmarrja funksionon që nga viti 2021 me disa ndërprerje. Transporti Publik prej 30 majit 2022 u riaktivizua dhe funksionon pa ndërprerje deri më tani.

Ndërmarrja e transportit publik në Tetovë ka pesë autobusë të cilët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%. Aktualisht janë tre linja të autobusëve që qarkullojnë.