fbpx

Shaqiri: Digjitalizimi do të bëhet nëpërmjet Agjencisë Digjitale, rregulla të reja për punësimin e administratorëve

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, në një intervistë ekskluzive për Portalb.mk, deklaroi se digjitalizimi në RMV do të bëhet nëpërmjet Agjencisë Digjitale e cila pritet të themelohet vitin e ardhshme dhe i cili do të jetë institucioni kryesor që do të menaxhonte çështjet e digjitalizimit. Ministri paralajmëroi se personat që jetojnë jashtë vendit së shpejti do të munden që t’i caktojnë oraret për ripërtërirjen e dokumenteve të tyre në kohën derisa qëndrojnë në pushim në vendlindje. Gjithashtu, ministri paralajmëroi dhe masa parandaluese për mbushjen e administratës me kuadër profesional.

Intervistoi: Suad Bajrami, Portalb.mk

1. Pse deri më tani nuk ka filluar riorganizimi i administratës, gjegjësisht pse nuk është ulur numri i administratës dhe institucioneve, ashtu siç ka rekomanduar BE-ja me vite?

Është një proces i rëndësishëm për vendin tonë, i cili koordinohet dhe menaxhohet nga ana e MSHI-së, nga të dhënat që kam, është proces që ka periudhën kohore të realizimit, është projekt IPA i cili ka filluar më herët. Ky projekt nuk ka filluar sepse është në fazë realizimi. Pas perceptimit të fazës fillestare, janë mapuar 139 institucione, të cilët në analizat dhe të dhënat që i kam do të ulet në 105 institucione dhe kjo është një fazë fillestare, por ende riorganizimi i administratës nuk mund të bëhet pa mos e sjellë një ligj për funksionimin dhe organizimin e organeve shtetërore.

Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe gazetari Suad Bajrami

Projekti përveç fazës fillestare, kemi dorëzimin e raporteve fillestare, është i koordinuar me Këshillin për Reforma në Administratë i cili udhëhiqet nga kryeministri. Kemi mbajtur mbledhje të rregullt në Qeveri ku është vendosur modeli i përshtatshëm për riorganizim dhe pas vendosjes së modelit ka vazhduar komunikimi në 16 ministri dhe në Qeveri. Me bartësit e këtyre institucioneve është pritur që të japin kontributin e tyre në raportet për t’i përfshirë institucionet në kuadër të institucioneve. MSHIA ka bërë analizën e saj, ka dhënë mendimet dhe sugjerimet e saja, pas përfundimit të të gjitha raporteve individuale të ministrive duhet të përpilohet një raport përfundimtar ku do të jenë të integruara të gjitha raportet e ministrive dhe pastaj do të fillojë të përpilohet ligji i caktuar. Të dhënat janë se ky projekt nuk është projekt i thjeshtë dhe faza e realizimit të saj është në periudhë kohore trevjeçare. Pas asaj, priten hapa konkret, pas miratimit të ligjit.

Në përpilimin e ligjit janë të përfshira të gjitha subjektet politike dhe institucionet, të gjithë kanë përfaqësuesit e saj në këshillin apo grupin e punës. Pas miratimit të ligjit, ky proces do të fillojë me riorganizimin e organeve shtetërore. Është një proces, aq sa i rëndësishëm, aq edhe kompleks, them se tek orientimi se pse nuk ka filluar, jemi në fazën e zhvillimit të projektit.

Në fund të muajit qershor, do të mbahet mbledhja e Këshillit të Reformave në Administratë, do të dorëzohet raporti, grupet e punës do të vazhdojnë punën në përpilimin e ligjit, besoj që gjatë vitit 2021, do ta kemi dorëzimin e ligjit, i cili do të ketë periudhë kohore për zbatimin e saj.

Ky riorganizim ka qëllim që administrata të jetë më efikase dhe të ofrojë shërbime më të mira deri te qytetarët.

2. Ekziston përshtypja që nuk do të realizohet projekti i transferimit të administratorëve në sektorin privat, çfarë keni bërë në këtë drejtim dhe a premtoni që deri në fund të mandatit do ta realizoni?

Me fillimin e mandatit të ri ndodheshim në një fazë të rëndë dhe delikate për arsye të gjendjes me KOVID-19. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo përveç që ndikoi në aspektin shëndetësor, ndikoi edhe në parametrat ekonomik, si të institucioneve qeveritare, ashtu edhe në sektorin privat. Në këtë periudhë kohore, edhe me dëshirën dhe vullnetin më të mirë që mund ta kishim, nuk mund të fillonim procesin e transferimit ose procesin e realizimit, pasi që ky është një proces i rëndësishëm që do një analizë gjithëpërfshirëse. Këtu duhet të kemi parasysh disa parametra, d.m.th. funksionimin e administratës publike, të gjithë duhet të dimë se pjesë të numrit publik në administratën publike janë të punësuarit në institucionet shtetërore, por edhe lokale.

Vendimet që do të sillen të mos jenë në kurriz të të punësuarve në sektorin publik, në aspektin e transferimit të obligueshëm ose të detyrueshëm sepse kjo nuk do të sjellë të mirën as në sektorin publik, e as në atë privat. Pas kësaj fazës së riorganizimit, pas analizës të bërë në disa ligje të tjera për administratën publike, unë në këtë periudhë kohore kam kërkuar nga këshilltarët e mi të m’i japin dhe dorëzojnë eksperiencat më të mira pozitive të cilat ka pasur shtete që i kanë realizuar këto programe dhe projekte konkrete për transferim nga sektori publik në atë privat. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në këtë kohë kovidi qeveria miratoi disa paketa ekonomike për ta ndihmuar sektorin e biznesit, që të mos ketë shumë pasoja nga gjendja e kovidit. Në të njëjtën kohë, u morëm edhe masa mbrojtëse për ta mbrojtur dhe administratën publike dhe sektorin publik, kur kishim zhvillime të tilla për marrjen e rrogës minimale, por këtu doli një masë mbrojtëse dhe kjo situatë na dha informacionet që brenda periudhës së ardhshme duhet ta analizojmë mirë këtë projekt dhe mos bëhet as në kurriz të sektorit publik e as atij privat.

E dini të gjithë se dikush si në aspekt të arritjes në karrierë dhe aspekti i avancimit të karrierës së tij, por si dhe nga aspekti i të hyrave që mund t’i realizojë për punën që kryen në sektorin publik ka arritur nivelin maksimal dhe në atë rast duhet të pres një periudhë kohore konform ligjit për t’u avancuar. Ai ndoshta, do të ketë një perspektivë të mundshme për avancim në karrierë dhe njëkohësisht të hyra më të larta që do t’i ofrohem nga sektori privat. Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë proces që mos kemi largim të kuadrove më profesional nga sektori publik në sektorin privat, por njëkohësisht të mos kemi dëmtim në sektorin privat nga kuadrot joadekuat.

Por, e potencoj edhe njëherë që në këtë situatë kovidi, dëshirojmë të gjithë që periudha e ardhshme kohore të jetë e mirë, por në qoftë se na paraqitet një situatë e njëjtë si në shtator, tetor, dhjetor, ashtu siç ka paralajmërim, na sjellë edhe në një rrezik tjetër për të realizuar këto projekte.

Këto projekte dhe programe janë të propozuara nga Qeveria, ajo nuk ka hequr dorë nga këto, i ka në konceptin dhe strategjinë e saj, por në të njëjtën kohë, Qeveria është e kujdesshme, sepse administrata publike dhe sektori privat janë pjesë e rëndësishme, apo thënë më mirë të dy janë katalizatorë kryesorë në vendin tonë si në aspektin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimeve ekonomike.

Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

3. A pritet që në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve të digjitalizohen edhe librat amë?

Shumë temë e rëndësishme, që është dhe në kuadër të Ministrisë sonë. Nuk dua që këto fjalë që do t’i them të jenë si justifikime duke u thirrur në kovid, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se në periudhën e kaluar kishim disa ribalance buxhetore të cilat kërkoheshin nga ana e institucioneve shkurtimi i mjeteve të caktuara, ashtu siç është kërkuar në ministrinë time dhe në ministritë tjera. Kovidi na nxori në pah se kemi digjitalizimin si domosdoshmëri të kohës. Në kohë krize investo në digjitalizim. Për digjitalizimin do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm ashtu siç punojmë për administratën sepse kjo ofron shërbime më efikase dhe na jep rezultate për punën e administratës.

Drejtoria për Librat Amë është institucion i rëndësishëm, është imputi kryesor, i cili na sjellë një proces më të përshpejtuar të procesit të digjitalizimit. Nga të dhënat që kam, në Drejtorinë e Librave Amë, një pjesë e tyre janë digjitalizuar, një pjesë vazhdojnë të digjitalizohen, por nuk do të thotë që kemi përfunduar të gjithë digjitalizimin e librave amë, për të marrë sa më shumë shërbime digjitale.

Aktualisht në ministrinë tonë, ashtu siç e kemi informuar opinionin, jemi në përpilim të ligjit për krijim e Agjencisë Digjitale. Do të jetë institucion i rëndësishëm në vendin tonë, në analizat tona ne e pamë si institucion qendror për digjitalizim sepse aktualisht kemi portalin, ofrojmë disa shërbime, ka një bazë të krijuar sa është avancuar është tjetër gjë, sa shfrytëzohen shërbimet nga qytetarët është tjetër gjë, sa janë të kapshme shërbime prapë se prapë është e rëndësishme, sa janë të realizueshme dhe sa nuk janë, ne kemi bërë një analizë totale, që i takon portalit dhe shërbimeve tona. Kemi projektin IPA, i cili na ofron rreth 187 shërbime plotësuese, të cilat do të jenë në portalin tonë, përpunohen nga ana e kompanive të angazhuara nga ana e IPA-programit.

Për secilën ditë janë në zhvillim shërbimet. Besoj se brenda javës së ardhshme ose shumë shpejtë do të promovojmë 20 shërbime të reja plotësuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilat janë të rëndësishme për caktimin ose pagesën e aplikimit për pasaportë, letërnjoftim, dokumente të humbura. Po bëhen përpjekjet maksimale, e them për herë të parë, që këto shërbime digjitale këtë vit të fillojnë, të jemi të kujdesshëm për arsye se shumë qytetarë tanë që jetojnë jashtë vendit, kishte një periudhë kohore të cilët nuk erdhën në vendin tonë dhe kur do të vijnë ndoshta kanë nevojë për ripërtëritjen e dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve të caktuara dhe e pamë të rrugës që shumë shpejtë t’i zhvillojmë këto 20 shërbime dhe tash janë në fazë përfundimtare që këto qytetarë të bëjnë aplikimin për pasaportë nga jashtë vendit, të planifikojnë orarin në pushimet e tyre që kur mund të jenë në sportelin e caktuar për të kryer procedurat përfundimtare dhe për të marrë pasaportën. Kjo është për t’iu ikur disa procedura. Ndoshta në të ardhmen kjo do të duket si fazë fillestare, i gjithë procesi do të jetë digjital, por janë shumë ligje dhe akte nënligjore të cilat duhet të ndryshojnë, por ne kemi bërë një arritje fillestare me Ministrinë e Drejtësisë kemi shërbime përfundimtare, sot kam realizuar takim me DAP-in dhe atje një pjesë e shërbimeve, tanimë janë drejtë fundit.

Nga ana tjetër, kemi projektin IPA që është i pavarur nga këto për 137 shërbime tjera tërësisht elektronike dhe në të njëjtën kohë punojmë për bazën ligjore për të pasur një institucion ligjor për të pasur një institucion qendror, sepse tash është komunikimi për çdo procedurë digjitale që lidhet në çdo institucion, çfarë ka të bëjë me digjitalizimin të koordinohen, kontrollohet dhe menaxhohet nga Agjencia Digjitale. Nga të dhënat që kam marrë nga kabineti im, më është thënë se, në shumë shtete kur është krijuar kjo Agjenci, aty vetëm se ka filluar procesi i digjitalizimit të realizohet, ashtu siç duhet.

Atje do të ketë kuadër adekuat dhe parashihet që kushtet për kuadrin e IT-së të jenë motivuese, që të rijnë në vendin tonë, të mund të punojë aty, por në anën tjetër të japë edhe kontributin për digjitalizimin e vendit tonë.

4. Portali e-shërbime është gjysmëfunskional, pasi që shumë prej shërbimeve qytetarët nuk mund t’i marrin përmes këtij portali, kur do të avancohet i njëjti dhe si?

Portali është një bazë e mirë e krijuar, ndërkaq e rëndësishme pas krijimit të tij është krijimi i Regjistrit Elektronik të Popullatës, kuptohet që ky regjistër merr të dhëna dhe analizon nëpërmjet portalit. Funksionim e portalit dhe institucioneve tjera, unë ditën e martë do të kem informacion në qeveri për funksionimin e digjitalizimit dhe shërbimeve që ofrohen në portal, për të zgjidhur problemin që ne i kemi. Te portali, të gjithë shërbimet nuk ofrohen nga ana e MSHIA, ne koordinojmë dhe menaxhojmë aktivitetet me institucionet përkatëse të cilat kanë nevojë dhe qytetarët kanë kontakte të drejtpërdrejta për të marrë shërbime publike. Qytetarët në MSHIA marrin pothuajse shumë pak shërbime publike, mos them aspak, përveç vërtetimeve të cilat i marrin nga provimet e dhëna në Agjencinë për Administratë.

Në kohën e sotme, do apo s’do MSHIA, është domosdoshmëri e kohës që të ofrojmë sa më shumë shërbime digjitale sepse në të njëjtën kohë e shohim se kemi digjitalizim të shërbimeve nga ana e sektorit privat të cilët për të qenë në hap me kohën ofrojnë sa më shumë shërbime. Nga koha që jam unë ministër, kam qenë i hapur për çdo institucion që ka pasur nevojë për shërbime publike të shfrytëzojë kapacitetin që e ka angazhuar aktualisht Ministria, me mirëmbajtjen e faqes së portalit dhe në të njëjtën kohë t’u japim mundësi që shërbimet që i kanë t’i zhvillojmë në mënyrë të përbashkët, ashtu siç i përmenda më herët MPB-në, DAP-in, Ministrinë e Ekonomisë, Drejtësisë, projektin e përbashkët që e bëjmë me Ministrinë e Jashtme për konsullata elektronike (që është bartëse MPJ-ja). Për e-konsullata është ide e MPJ-së, por në të njëjtën kohë na lidhet ideja për identitetin elektronik që e kemi promovuar edhe më herët me kompaninë Mastercard dhe ato janë në përpunim, por duhet ta përshtatim me portalin tonë, në qoftë se do të kishim një institucion qendror të digjitalizimit, ose nëse do të kemi në të ardhmen, ai do t’i krijonte dhe menaxhonte këto gjëra. Shërbimet që do të krijoheshin nga Agjencia Digjitale, vetëm do t’u jepeshin sistemeve, apo ministrive. Kjo do të sjellë një avancim që unë e pres për shpejtë kohë, gjegjësisht duhet fillimisht të krijohet institucioni dhe rebalanc në buxhet dhe për vitin e ardhshëm pres rezultate konkrete për këtë.

Por, përsëri duhet ta largojmë atë idenë se çdoherë bëhet me kontakt fizik sepse në biseda të shumta që kam pasur me përfaqësues të ndryshëm më thonë se në rregull jemi për këto strategji, por prapë nuk duhet ta largojmë konceptim fizik sepse të gjithë e dimë se bankomatet janë vende ku duhet të dalin lekët ose përdorim kartela të ndryshme bankare, por prapë ka qytetarë të cilët shkojnë të presin radhë, pra më shumë kanë besim për t’i marrë mjetet monetare dhe të tjerët që shfrytëzojnë bankomatin. Dimë që shumë pagesa janë veçse elektronike, por ka shumë qytetarë të cilët e shfrytëzojnë edhe pagesën në mënyrë fizike, por ne duhet të krijojmë bazën ligjore, që si institucione t’u besojmë dokumenteve dhe vulës elektronike, pasi që kanë vlerë të njëjtë ligjore.

Me digjitalizim, fitojnë qytetarët, fitojnë shërbime më shumë efikase, por fiton edhe ekonomia e vendit.

Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Në videon e mëposhtme, mund të ndiqni dhe deklaratën e Shaqirit për Portalb.mk në lidhje me deklaratën e kryetares së Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, e cila, ka theksuar se nepotizmi, kronizmi dhe politizimi gjatë punësimit janë hallka më e dobët në realizimin e administratës publike profesionale dhe efikase.

Ministri thotë se rekomandimet e tyre i kanë marrë si udhëzime dhe shumica e tyre janë të përfshira në ligjet për Nëpunës Administrativ dhe të Punësuarve në Sektorin Publik, të cilat pritet të dorëzohen në qeveri gjatë qershorit.

“Testimet për administratë të jenë të hapura dhe mos të jenë të lidhura me konkurse, pra secili që ka diplomuar mund ta paraqesë provimin në Agjencinë për Administratë dhe kur do të jetë i hapur konkursi mund ta dorëzojë provimin që e ka marrë. Kemi paraparë ndryshime edhe në pjesën e anketimit që intervista të jetë mirë strukturuar, e raportuar, në të cilën do të ketë edhe përgjegjësi edhe për anëtarët e Komisionit Vlerësues.

Gjithashtu, në videon në vijim, Shaiqir flet edhe për vlerësimin se sa e ka rritur efikasitetin e shërbimeve sistemi “një pikë për shërbime”, duke e pasur parasysh se vazhdojnë pritjet e gjata edhe në këto pika për marrjen e shërbimeve. Ministri paralajmëron se do të vendosen në disa lokacione dokumentomate.

“Kemi paraparë ofrimin e dokumentomateve të cilat i kemi promovuar. Gjatë vitit 2021 kemi paraparë vendosjen e tre dokumentomateve që do të zëvendësojnë “një pikë shërbimeve”, pasi që në kuadër “një pikë shërbimeve”, përveç se kemi investime kemi edhe resurse njerëzore, punëtorë të cilët janë të punësuar dhe zgjerimi i tyre në tërë territorin do të ndikojë në rritjen e të punësuarve në ministri. Dokumentomatet zëvendësojnë edhe forcën punëtore, por në të njëjtën kohë duhet të mirëmbahen për dokumentet të cilat mund të merren”, shtoi Shaqiri.

Për më shumë, ndiqeni videon:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button