Struga ka mbetur pa plan të ri urbanistik, premtimi i Merkos ende nuk ka nisur të realizohet

Qyteti i Strugës ende nuk ka plan të ri urbanistik, edhe pse miratimi i Planit Gjeneral Urbanistik për qytetin ishte një ndër zotimet kryesore elektorale të kreut të komunës Ramis Merko në zgjedhjet e fundit lokale. Ky premtim ende nuk është realizuar. Sipas partisë Aleanca për Shqiptarët në Strugë, me mungesën e planit të ri urbanistik po mbahet peng modernizimi i qytetit, shkruan Portalb.mk.

Screenshot nga programi zgjedhor "Agjenda e Blertë" për Strugën
Screenshot nga programi zgjedhor “Agjenda e Blertë” për Strugë

Gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2021, në garën për të parin e Komunës së Strugës kandidati fitues në këtë Komunë, Ramis Merko, përmes programit zgjedhor “Agjenda e Blertë”(faqe 42) i premtoi elektoratit strugan një projekt të rëndësishëm infrastrukturor: Sjellja e Planit Gjeneral Urbanistik për qytetin e Strugës. Edhe pse ka kaluar gjysma e mandatit në krye të pushtetit lokal në Komunën së Strugës, udhëheqësia aktuale në këtë Komunë akoma nuk ka arritur të sjell planin gjeneral urbanistik për qytetin e Strugës. Në një prononcim për Portalb.mk nga Komuna e Strugës deklaruan se qyteti nuk ka momentalisht plan të ri urbanistik, pa dhënë detaje tjera se kur përafërsisht pritet të realizohet ky premtim i rëndësishëm për Strugën.  

“Për momentin nuk ka plan urbanistik të ri për qytetin”, u përgjigjen shkurt nga Komuna e Strugës.

Nga ana tjetër, kryetari i degës ASH-Strugë, Lulzim Nasufi dhe njëkohësisht arkitekt me profesion thotë se Struga duhet të modernizohet por zhvillim e modernizim nuk mundet të ketë pa plan urbanistik.

“Vizion i përbashkët i çdo qytetari strugan, sot më shumë se kurrë, duhet të jetë, Struga qytet modern, pol atraksioni dhe destinacion turistik, duke e ruajtur identitetin e saj multikulturor, me pasuri dhe tradita kulturore, me ngjarje artistike dhe shpirtërore, aktivitete sportive dhe programe edukative me pjesëmarrje të të gjithëve… Por modernizimin nuk mund të bëhet pa urbanizimin e qytetit, që momentalisht nuk është duke ndodhur sot në Strugë, me Kryetarin e Komunës Ramis(z) Merko, e që faktohet me plane detale urbanistike të vjetruara e të aprovuara para dy dekadave të cilat janë akoma në fuqi e që pengojnë zhvillimin e Strugës, nga ana tjetër për këtë nuk ndërmerret asnjë hap për ndryshimin tyre”, tha Lulzim Nasufi, kryetar i degës ASH-Strugë.

Nasufi i bashkëngjit publikisht reagimit të tij dhe dokumentacione të cilat vërtetojnë vjetërsinë e planeve urbanistike të qytetit duke shtuar se me buxhetin e Komunës së Strugës, janë paraparë të shpenzohen mbi 279.000.00 €uro për ndryshimin dhe sjelljen e Planeve të reja Urbanistike për vitet 2022-2023.

“1. Plani Themelor – Gjenaral Urbanistik, – 2007 – 2017, me afat të skaduar mbi 7 vite, akoma është në përdorim dhe nuk është nisur procedura për ndryshim e tij,
2. Plani Detal Urbanistik, per Lagjjen Teferic – 19.06.2001. -, mbi 22 vite i pandryshuar, akoma është në përdorim dhe nuk është nisur procedura për ndryshim e tij,
3. Plani Detal Urbanistik, për NJ.U. – 2 -, 30.07.1997. – mbi 26 vite i pandryshuar, akoma është në përdorim dhe nuk është nisur procedura për ndryshim e tij,
4. Plani Detal Urbanistik, për NJ.U. – 4 -, Lindje, 14.03.2003. – mbi 20 vite i pandryshuar, akoma është në përdorim dhe nuk është nisur procedura për ndryshim e tij”, thekson Nasufi.

Duke u bazuar në prononcimin e Komunës së Strugës, dhe në reagimin e SH-Strugë, Portalb.mk konkludon se ky premtimi infrastrukturorë për sjelljen e planit gjeneral urbanistik i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

BURIMI:
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 42, verifikuar më 01.11.2023