RMV, në tri lokacione u vendosën pajisje që mundësojnë komunikimin me personat që kanë problem me dëgjimin

Policia e Maqedonisë së Veriut ka promovuar tri pajisje që mundësojnë komunikim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe personave që kanë problem me dëgjimin, transmeton Portalb.mk.

“Pikërisht sot në mëngjes, në tri lokacione në Shkup në përputhje me pilot projektin “Shërbimi digjital i interpretimit për personat e shurdhër dhe me dëgjim të rënduar”, Unioni ka siguruar tre tableta të markës “Apple” për nevojat e projektit të cilat janë instaluar në prani të personave të autorizuar”, njoftoi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

Ministri Spasovski sot ka nënshkruar Memorandum për bashkëpunim mes Ministrisë për Punë të Brendshme dhe Unionit Nacional të personave të shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar, përfaqësuar nga kryetari Tomica Stojanovski. Ai theksoi që këtë muaj ata shënojnë 75 vjetorin e formimit të këtij Unioni.

“Praktikisht, ky Memorandum Bashkëpunimi përcakton qëllimet e interesit të përbashkët – respektimin e personave të shurdhër dhe me dëgjim të rënduar, pastaj nxitjen e zhvillimit të mbrojtjes dhe kujdesit për personat e shurdhër dhe me dëgjim të rënduar, pjesëmarrje në parandalimin dhe heqjen e barrierave, në mjedisin fizik dhe social, pjesëmarrja në përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetës së përditshme të personave të shurdhër dhe me dëgjim të rënduar, ngritja e vetëdijes dhe pjesëmarrja në ndryshime në favor të personave të shurdhër dhe me dëgjim të rënduar dhe vendosja e bashkëpunimit të ndërsjellë afarist”, tha ministri Spasovski.