Ministria e Administratës Publike promovoi udhëzuesin për ofrimin e shërbimeve për personat me dëmtim të dëgjimit

Ministria e Administratës Publike ka promovuar një udhëzues praktik për komunikimin dhe ofrimin e shërbimeve për personat me dëmtim të dëgjimit. Dokumenti synon t’u ofrojë nëpunësve administrativë udhëzime për komunikim më të lehtë me këtë kategori qytetarësh dhe për qasje më të barabartë në shërbimet publike, transmeton Portalb.mk.

Udhëzuesi është hartuar me iniciativë të Ministrisë së Administratës Publike nga Daniela Diçovska, përkthyese e licencuar e gjuhës së shenjave, dhe përmban udhëzime praktike që mund të përdoren nga administrata në punën e përditshme.

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, tha se shërbimet publike duhet të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht nevojave të tyre.

“Kur flasim për reformën e administratës publike, nuk flasim vetëm për ligje, procedura dhe institucione. Flasim për njerëzit. Për atë nëse një qytetar do të jetë në gjendje të marrë informacion në kohë dhe nëse do të jetë në gjendje ta realizojë shërbimin e tij në mënyrë të barabartë. Detyra jonë është t’i heqim barrierat, dhe jo qytetarët të përshtaten me barrierat e sistemit”, tha Minçev.

Në promovim morën pjesë edhe koordinatorja kombëtare për personat me aftësi të kufizuara pranë Qeverisë, Snezhana Trpevska, kryetarja e Qendrës ditore “Doza sreka”, Suzana Stojanovska, si dhe kryetarja e shoqatës “Inkluziva”, Blagica Dimitrovska.

Sipas Ministrisë, qëllimi i udhëzuesit është që qasshmëria dhe komunikimi me personat me dëmtim të dëgjimit të bëhen pjesë e punës së përditshme të institucioneve, dhe jo të trajtohen vetëm si masa të veçanta.

Ndryshe, udhëzuesi fokusohet te mënyrat praktike të komunikimit që nëpunësit administrativë mund t’i përdorin gjatë ofrimit të shërbimeve për personat me dëmtim të dëgjimit.