RMV, mot me diell dhe shumë nxehtë, temperaturat do të arrijnë deri në 39 gradë

Me diell dhe shumë nxehtë – mot i tillë na pret sot në vend. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPH) njofton për vranësira lokale dhe paraqitje të izoluar me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima afatshkurtër pasdite. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare kryesisht nga drejtimi verilindor, transmeton Portalb.mk.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 20 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të rriten nga 29 deri në 39 gradë Celsius. Indeksi UV do të jetë 8.

Në Shkup pritet mot me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira mesatare dhe me erë të dobët deri mesatare nga veriu. Temperaturat në kryeqytet do të lëvizin nga 20 deri në 37 gradë.

Gjatë periudha të nxehta, siç pritet sot, kujtojmë që vlejnë rekomandimet e miratuara nga Qeveria e Maqedonisë:

  • Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më cënueshme të popullsisë, si: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
  • Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
  • Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për të vetmuarit, të moshuarit, të dobëtit dhe të pastrehët. Punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.