Gushti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë
Gushti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë, sipas Shërbimit të BE-së për Ndryshimet Klimatike, Koperniku. Temperatura mesatare globale e ajrit arriti në 16.96°C, duke tejkaluar me 0.01°C rekordin e korrikut 2023, transmeton Portalb.mk.
Edhe oqeanet shënuan temperatura rekord, ndërsa Evropa Perëndimore përjetoi verën më të nxehtë të regjistruar, duke tejkaluar rekordin e vitit 2003. Valët e të nxehtit shkaktuan mbylljen e shkollave, tharjen e lumenjve dhe rritjen e rrezikut nga zjarret.
Sipas ekspertëve, ngrohja globale është kryesisht pasojë e djegies së qymyrit, naftës dhe gazit. Më shumë se 90 përqind e nxehtësisë së tepërt të shkaktuar nga gazrat serrë përthithet nga oqeanet, duke dëmtuar ekosistemet detare.
OKB-ja paralajmëroi se rekordet e temperaturave do të vazhdojnë të thyhen nëse njerëzimi nuk largohet nga lëndët djegëse fosile. Ndërkohë, shkencëtarët presin që 2026 ose 2027 të mund të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Në Evropë, nga mesi i korrikut deri në mesin e gushtit, temperaturat e larta u vlerësuan se shkaktuan më shumë se 32.000 vdekje.