Rrugëve të Strasburgut

Kur pranvera zbulon bukuritë e saj në Strasburg, një atmosferë e freskët dhe shpresëplotë mbush çdo cep të këtij qyteti që ndonjëherë duket i zymtë por nën diellin e pranverës duket i mrekullueshëm. Me shtrirjen e diellit mbi arkitekturën e tij të mahnitshme dhe të gjelbërimit të pemëve nëpër parqet dhe sheshet, çdo hap nëpër Strasburg është pjesë e ndryshimit të jashtëzakonshëm që sjell kjo stinë.

Nëpër rrugët e këtij qyteti historia rrëfen gjithmonë ndryshimet dhe transformimet që ka përjetuar nëpër shekuj. Strasburgu ka një origjinë të hershme, e cila gjen rrënjët e saj në periudhën e lashtë romake. Me kalimin e kohës, qyteti u bë një qendër e rëndësishme e kulturës dhe tregtisë në rajonin e Rinit, duke luajtur një rol kryesor në tregtinë e njësisë së rajonit. Në shekullin e mesëm, Strasbourgu u bë një qendër e rëndësishme e artit dhe arsimit, me themelimin e një nga universitetet më të vjetra në Evropë, Universitetin e Strasburgut që sot numëron mbi 40.000 studentë dhe është universiteti i dytë me më shumë studentë ndërkombëtarë pas atij të Parisit.

Autobusi C9 i cili nuk vonohet asnjë minutë dhe nis nga stacioni pranë hotelit tim fiks në 9.00 të mëngjesit, kalon pranë shesheve të bukura, pranë pallatit gjyqësor dhe rrugës për në Këshillin e Evropës ku ndjek seancën plenare të GRECO-s. Gjersa nga dritarja shikoj çiklistët, të moshuar, të rinj e fëmijë, që kalojnë me shpejtësi në rrugët e gjera për biçikleta, autobusi kalon pranë ndërtesës impozante të stilit neo-renesansë të Universitetit ë Strasburgut që është një prej institucioneve më të shquara të arsimit të lartë në Evropë. Themeluar në vitin 1538, ai ka një trashëgimi të pasur akademike dhe kulturore që shtrihet për një periudhë prej gati pesë shekujsh. Si një nga universitetet më të vjetra në Evropë, Universiteti i Strasburgut ka qenë një qendër e shquar e dijes dhe inovacionit. Motoja e Universitetit të Strasburgut, “Litteris et Patriae”, përkthehet si “Për dijen dhe atdheun”. Kjo moto pasqyron qëllimin dhe misionin e universitetit për të promovuar dijen dhe kulturën për përparimin e shoqërisë dhe të vendit. Lidhshmëria mes dijes dhe dashurisë ndaj atëdheut që shquhet në ato dy fjalë është vërtet mbresëlënëse dhe kuptimplotë. Sa herë që shitemi si patriotë të mëdhenj ndërsa fshehurazi bëjmë kompromis apo pazarllëk me dijen është mirë të kujtohemi që dashuria ndaj atdheut dhe patriotizmi shprehen më së miri duke kultivuar dijen dhe përparimin.

Nëpërmjet historisë së tij, Strasburgu është një qytet që ka përjetuar një varg ngjarjesh të rëndësishme dhe ndikime të ndryshme kulturore. Në shekullin e 17-të, qyteti u bë pjesë e mbretërisë së Francës, ndërsa më vonë u shndërrua në një qytet që shërbeu si një bastion i kultures dhe gjuhës gjermane. Gjatë shekullit të 19-të, Strasburgu luajti një rol kyç në zhvillimin e industrializmit në rajonin e Alzasës-Lorenës. Një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Strasburgut është themelimi i Këshillit të Evropës në vitin 1949, një organizatë ndërqeveritare që synon promovimin e bashkëpunimit dhe të drejtësisë në Evropë. Gjithashtu, Strasbourgu është shtëpia e një numri të madh të institucioneve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Parlamentin Evropian dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e bërë atë një qendër të rëndësishme të politikës evropiane.

Është kaq interesante të qëndrosh në një vend ku dekada më parë është zhvilluar luftë e përgjakshme e tani nuk ka kufij mes shteteve, nuk ka inate e mosmarrëveshje, ka rend, pastërti, siguri dhe vizion për të ecur para. Rrugës për të ardhur këtu kalova nga aeroporti i Bazelit, ku po ashtu,  pasi e kalon kontrollin e pasaportës, mund të vazhdosh të ecësh në njërën nga tri portat që të çojnë në Zvicër, Gjermani ose Francë. Kjo lehtësi e lëvizjes të bën të ndihesh i lirë dhe të shohësh përtej horizontit. Mendoj që ne ballkanasit, me të gjithë ata kunfinj që i kemi vënë mes vetes, e kemi kufizuar veten dhe diapazinin tonë, për të cilin shkak rrallë arrijmë të shohim përtej hundës sonë. Jemi ngujuar atje në shtetet tona si në kullat e mesjetës, mes bërllokut që na përshëndet prej secilit skaj dhe mes zënkave të përditshme dhe urrejtjes ndaj njëri tjetrit. E në ndërkohë bota ecën para e ne assesi të bashkangjitemi.

Prandaj është me rëndësi të mos dalim nga rruga e nisur drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Është me rëndësi të mos mbetemi të izoluar sepse me kalimin e kohës të gjithë të rinjtë do të vijnë të jetojnë në këto vende të bukura ku ka rend ku ka drejtësi dhe ku njeriu është njeri. Kur një ditë ta kemi edhe ne këtë rend në vendin tonë, kur të ecim rrugëve të qytetit pa parë mbeturina gjithandej, kur rrugët e biçikletave të jenë më të gjera se ato të veturave, kur veturat nuk do të kalojnë në qendër të qytetit, dhe kur drjetësia të funskionojë ashtu siç duhet, atëherë do të jemi edhe ne Evropë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.