RMV, kush dëshiron të bëhet drejtor shkolle, duhet të japë provim dhe të ketë shkathtësi kompjuterike

Kandidatët që dëshirojnë të pajisen me çertifikatë për drejtor të shkollës fillore ose të mesme më 9, 10 dhe 11 nëntor do t’i nënshtrohen provimit. Shkathtësitë bazike kompjuterike janë pjesë e detyrueshme e provimit, ndërsa ka edhe module të tjera që duhet t’i dinë kandidatët që të mund të kalojnë në provim. Para vitit 2017 çertifikatë për drejtor kandidatët kanë marrë vetëm nëse kanë prezentuar një punim, por pasi është miratuar një ligj i veçantë për këtë qëllim, prej vitit 2017 secili prej tyre duhet patjetër të japë një provim që përbëhet nga disa pjesë, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Procesin e organizon Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP), ndërsa para se t’i nënshtrohet, që të mund të fitojë të drejtën e dhënies së provimit, çdo kandidat duhet të ketë kaluar një trajnim. Provimi është i përbërë nga tre pjesë që mbahen në ditë dhe termine të ndryshme.

Deri tani, prej kur ekziston Ligji për trajnim dhe provim për drejtor të shkollës fillore, shkollës së mesme, konviktit të nxënësve dhe universitetit të hapur civil për mësim të përjetshëm, i miratuar në vitin 2017, me çertifikata për drejtorë janë pajisur 611 persona në vend. Kjo e dhënë është e shënuar në Regjistrin e drejtorëve, që është i publikuar në ueb-faqen e QSHP-së.

“Nuk ka hapësirë për të hedhur hije mbi të gjithë procesin e dhënies së provimit profesional për drejtorë, sepse procedura zhvillohet konform dispozitave ligjore. Çdo kandidat ka dosjen e vet. Pas përfundimit të provimit secili prej tyre menjëherë merr përgjigje nëse e ka kaluar apo jo provimin. Provimi mbahet në hapësirat e QSHP-së. Këtu ka bllokatorë, ka video streaming të mbajtjes së provimit që shfaqet në ueb-faqen e QSHP-së. Është ndërmarrë çdo gjë që është e nevojshme që të parandalohet çfarëdo keqpërdorimi apo malverzimi”, informon drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajllovska.

Pjesa e parë e provimit përbëhet nga pjesa teorike dhe praktike që duhet t’i tregojë njohuritë dhe shkathtësitë kompjuterike për programet bazike për punë në zyrë dhe në mënyrë plotësuese për sistemin EMIS, si dhe për ditarin elektronik.

“Ka detyra praktike të llojit, të kryejnë një detyrë ne Excel, në Word, në Power Point. Kërkohen shkathtësi bazike kompjuterike, por të plotësuara me softuerin që përdoret në arsim”, thotë Mihajllovska.

Provimi përmban edhe pyetja nga fusha të tjera. Ka edhe tema që kandidatëve u jepen me përzgjedhje të rastësishme, gjegjësisht të përgatisin një hulumtim në një temë të lidhur me punën e tyre dhe pastaj e mbrojnë atë para një komisioni pesë anëtarësh. Nëse kalojnë, e fitojnë licencën për drejtor.

Trajnime të avancuara për drejtorët aktualë

Çdo drejtor aktual i një shkolle me provim të dhënë për drejtor është i detyruar që të marrë pjesë në trajnim të avancuar prej së paku 4 ditësh seminarike (nga 8 orë), me kohëzgjatje të përgjithshme prej 32 orësh gjatë vitit shkollor 2023/2024. Kjo është e paraparë në shpalljen që së fundmi e publikoi QSHP-ja, dhe ka të bëjë me drejtorët aktualë.

Drejtorët duhet të zgjedhin katër nga këto trajnime: “Menaxhimi financiar”, “Puna administrative dhe arkivore”, “Inkluziviteti – sfidë nëpër shkolla, praktika pozitive”, “Mobingu aspektet psiko sociale dhe mbrojtja ligjore”, “Përfshirja kuadrove profesionale të mësimdhënies (praktikantëve) në procesin edukativo arsimor nëpër shkollat fillore dhe të mesme”, pastaj “edukimi digjital me aplikimin e teknologjive informatike dhe kompjuterike në mësim dhe në shkollë”, si dhe “Pajisja me shkathtësi për kontroll të cilësisë së vlerësimit të diturisë së nxënësve nëpër shkolla”.

Çertifikata për drejtor nuk është e përhershme. Në ligj parashihet se nëse kandidati ka çertifikatë, e nuk bëhet drejtor brenda 5 vitesh pas marrjes së të njëjtës, ai duhet përsëri të ndjekë trajnim që të pajiset me çertifikatë të re për drejtor.

Aftësitë digjitale janë bërë të domosdoshme në thuajse çdo profesion, kurse shkollat dhe universitetet në RMV duhet të punojnë më shumë në këtë fushë. Me vënien në funksion të sistemit EMIS në shkollat fillore, iKnow në shkollat e mesme dhe indeksit elektronik nëpër fakultete, natyrisht që paraqitet nevoja që edhe punonjësit akademik të kenë aftësi digjitale.