RMV-ja lider në rajon për shfrytëzim të fondeve IPARD, programi i ri pritet të jep efekte më të mëdha (Infografik)

Që nga viti 2007 e këndej, Maqedonisë së Veriut i janë ndarë rreth 223 milionë euro fonde IPARD, përmes programit I, II dhe III të cilat janë për fushën e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural. Së fundmi u nënshkrua edhe Marrëveshja financiare për programin IPARD  III që kap vlerën prej 97 milionë eurosh. Ndërkaq, Delegacioni i BE-së në vend thotë se RMV-ja është lider në rajon sa i përket shfrytëzimit të fondeve IPARD. Përmes kësaj analize, Portalb.mk sjell një pasqyrë më të gjerë për fondet IPARD në RMV.

Fondet IPARD janë grante të BE-së për vendet kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut, në fushat e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural. Mbështetja jepet për zbatimin e programit IPARD specifik për një vend që mbulon një periudhë 7-vjeçare.

Deri më tani kemi pasur programin IPARD I (2007-2013), IPARD II (2014-2020) dhe atë aktual IPARD III (2021-2027).

Siç sqarojnë nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend, që nga viti 2007, Maqedonisë së Veriut i janë ndarë afro 223 milionë euro në asistencë IPARD. Alokimet janë 65.6 milionë euro për IPARD I, 60 milionë euro për IPARD II dhe 97 milionë euro për IPARD III.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Sipas të dhënave të fundit, afro 70% e fondeve IPARD II janë paguar për përfituesit për zbatimin e 2073 projekteve”, thonë nga Delegacioni i BE-së.

Të njëjtën e theksuan edhe nga Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE).

“Programi IPARD 2014-2020 ka filluar me implementim në vitin 2017, numri i përgjithshëm i kontratave me shfrytëzuesit përfundimtar është 2365 dhe mbështetja financiare e aprovuar totale është 62,443,639,97 euro kontributi i BE-së. Deri më tani janë realizuar gjithsej 2073 projekte me një mbështetje financiare totale prej 42,268,536.00 euro nga kontributi i BE-së”, thane nga SÇE.

Nga SÇE sqarojnë se me shpalljen e thirrjeve të reja publike në vitin 2022 dhe 2023 për këtë masë, Agjencia vuri në dispozicion të gjitha mjetet e liruara nga projektet e kontraktuara që nuk realizuan investimet.

“Zbatimi i Programit IPARD 2 vazhdon gjatë vitit 2024 kur do të zbatohen të gjitha kontratat aktive të mbetura dhe do të kryhen pagesat e fundit”, thane nga SÇE.

Ndërkaq, në fillim të këtij muaji, gjegjësisht me 2 tetor 2023 zëvendëskryeministri për çështje evropiane dhe koordinator nacional i IPA-s, Bojan Mariçiq, nënshkroi Marrëveshjen financiare për programin IPARD III dhe në prezantimin e tij tha se ai është thelbësor për bujqësinë e vendit.

“IPARD është një histori suksesi që e kemi pasur prej kohësh dhe që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është vetëm vazhdimësi dhe zhvillim edhe më i madh i saj. IPARD II ishte një histori mjaft e fortë dhe e suksesshme, dhe IPARD III do të jetë një histori premtuese, histori që premton shumë për fermerin dhe një garanci që Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë përfituesi më i mirë i programeve IPARD në rajon”, deklaroi Mariçiq.

Siç sqarojnë nga Delegacioni i BE-së, me nënshkrimin e e Marrëveshjes Financiare, Komisioni i besoi detyrat e zbatimit të buxhetit autoriteteve kombëtare IPARD për masat si: investimet në fermë; investimet për modernizimin e agrobizneseve dhe marketingun e produkteve agroushqimore dhe të peshqive; investime për të diversifikuar aktivitetet e fermave dhe për zhvillimin e biznesit në zonat rurale duke përfshirë asistencën teknike.

IPARD III për Maqedoninë e Veriut e ka zgjeruar fushëveprimin në krahasim me IPARD II.

Masat shtesë të programuara janë: përmirësime në infrastrukturën rurale; kompensimet për fermerët për aplikimin e praktikave të bujqësisë agro-mjedisore-klimatike dhe bujqësisë organike; mbështetje për ofrimin dhe përdorimin e shërbimeve këshillimore bujqësore dhe  për zbatimin e strategjive zhvillimore lokale të ashtuquajtura LEADER.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga SÇE presin që IPARD për periudhën në vijim të jepe rezultate të shumta.

“Priten përfitime të shumta nga shfrytëzimi i fondit nga Programi IPARD 2021-2027 për Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga të cilat mund të dallohen: përmirësimi i standardit të fermerëve, përmirësimi i konkurrencës dhe efikasitetit në treg, rritja e punësimit në zonat rurale, përmirësimi i standardeve veterinare dhe promovimi dhe mbrojtja e mjedisit”, theksojnë për Portalb.mk nga SÇE.

Nga aty sqarojnë se ekonomitë bujqësore, objektet e përpunimit të produkteve bujqësore dhe personat fizikë dhe juridikë mund të përdorin tre masat e investimeve nga Programi IPARD III, edhe atë: investimet në asetet fikse të ekonomive bujqësore, investimet në asete fikse për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkut, diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit.

Të pyetur nga Portalb.mk se cila është përshtypja e BE-së se sa në mënyrë efektive RMV-ja i shfrytëzon këto fonde, nga Delegacioni i BE-së në vend u shprehën të kënaqur.

“Maqedonia e Veriut është një vend lider në rajon kur bëhet fjalë për përdorimin e fondeve IPARD. Rreth 3100 projekte janë zbatuar me sukses në të gjithë vendin, që është një numër i konsiderueshëm duke marrë parasysh madhësinë e industrisë së tij agro-ushqimore. Mezi presim që Programi i ri IPARD III të sjellë rezultate edhe më ambicioze për shkak të rritjes  dhe shtrirjes së tij”, thanë nga Delegacioni i Be-së në vend.

Muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut u prezantua programi i ri IPARD III “Mundësi të reja për bujqësinë e RMV-së”. Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, RMV-ja ka fituar mjete të rritura financiare me IPARD III programin dhe është vendi i parë i rajonit i cili do të fillojë me shfrytëzimin e tyre”

Ndryshe, nga viti 2007 në Maqedoninë e Veriut janë investuar gjithsej 812,457,807.62 euro përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian. Më shumë mjete janë investuar në rajonin e Vardarit, mbi 122 milionë euro, ndërkaq më pak në rajonin e Pollogut, 29 milionë euro. Për këtë dallim kaq të madh në mes rajoneve, problemi qëndron në disa faktorë. Ndërkaq nga Sekretariati për Çështje Evropiane arsyetohen se mbështetja e projekteve për shkak të përkatësisë rajonale nuk është kriter për planifikimin e fondeve IPA.