Akoma e hapur mundësia për qytetarët e Maqedonisë së Veriut të aplikojnë në konkursin “Kultura lëviz Evropën”

Qytetarët që kanë mbi 18 vjeç, do të mund të aplikojnë në projektin e Bashkimit Evropian “Kultura lëviz Evropën”, projekt i cili do të pranon aplikime deri më 31 maj të vitit 2024, transmeton Portalb.mk.

“Konkurrentët mund të aplikojnë për grante mobiliteti për të mbuluar shpenzimet e tyre të udhëtimit dhe ato ditore si mbështetje financiare shtesë për të promovuar pjesëmarrje më të larmishme të njerëzve që përballen me pengesa për lëvizjen e lirë përtej kufijve”, njoftoi Ministria e Kulturës.

Vlerësohet që ky është projekti më i madh i mobilitetit kulturor në Bashkimin Evropian, ku përfshihen aktivitete nga arti skenik, pamor, muzika, trashëgimia kulturore, arkitektura, dizajni dhe letërsia.

“BE-ja inkurajon veçanërisht artistët me aftësi të kufizuara që të aplikojnë në konkurs pasi Kultura lëviz Evropën u ofron atyre mbështetje të veçantë për të mbuluar kostot shtesë që mund të paraqiten si rezultat i pengesës së tyre, në mënyrë që t’u mundësojë atyre të marrin pjesë në projekte jashtë vendit”, theksoi Ministria e Kulturës.