RMV, institucionet “të zemëruarа” me KSHPK-në pas hapjes së djeshme të rasteve të korrupsionit

Pas seancës së djeshme të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), në të cilën janë iniciuar disa procedura ku ka dyshime të rënda për vepra penale, reagojnë ministrat dhe institucionet, por dhe Prokuroria Publike – të gjithë i hedhin poshtë konstatimet dhe dyshimet e KSHPK-së dhe mes rreshtave deklarojnë se bashkëpunimi do të reduktohet në minimum, njofton Portalb.mk.

Pas vlerësimit të KSHPK-së se gjatë prokurimit publik për digjitalizimin e regjistrave nuk janë paraparë masa për mbrojtjen e privatësisë të të dhënave personale të qytetarëve dhe se ka rrezik të lartë veçanërisht për tregtimin e të dhënave personale, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski tha se sipas informacioneve të tij nga MPB-ja nuk ka keqpërdorim masiv të të dhënave.

“Ne tashmë kemi trajtuar raste që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e të dhënave personale. Nuk mund të bëhet fjalë për keqpërdorim masiv të të dhënave. Numri i rasteve që trajtojmë nuk është një numër që mund të na alarmojë. Të gjitha institucionet që trajtojnë të dhënat personale kanë rregullat dhe procedurat e tyre. Abuzimi më i madh është përmes portaleve dhe rrjeteve sociale dhe për këtë duhet të punohet”, theksoi Spasovski.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka reaguar dhe ka i hedhur poshtë si të pasakta dhe të pavërteta të gjitha pretendimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me prokurimin e aparateve të votimit me përdorimin e gjurmëve të gishtave.

KSHPK-ja në seancën e djeshme ka konstatuar mospërputhje në procedurën e prokurimit të aparateve për identifikimin biometrik të votuesve dhe në përmbushjen e dispozitave të kontratës me operatorin ekonomik të përzgjedhur, për prokurimin e aparateve të votimit me përdorimin e gjurmëve të gishtave në vlerë prej mbi 11 milionë euro. Ekziston dyshimi se mënyra e zhvillimit të procedurës së prokurimit publik e ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që me specifikimin teknik, i cili sipas Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës përmban kritere kufizuese, të jetë favorizuar operatori ekonomik i përzgjedhur.

“Të gjitha deklaratat e KSHPK-së bazohen vetëm në disa dyshime dhe rreziqe me të cilat nuk konfirmohet asnjë situatë apo parregullsi dhe nuk burojnë nga prova të besueshme. Lidhur me këtë, KSHZ-ja ka nevojë dhe obligim të bazuar të theksojë dhe sqarojë se pretendimet dhe konstatimet e KSHPK-së që u përhapën në opinion janë në kundërshtim me faktet dhe dokumentet konkrete relevante që i janë dorëzuar me kohë KSHPK-së”, reagojnë nga KSHZ-ja.

Nga atje shtojnë se nëse bëhet inspektimi i procedurës që është kryer përmes sistemit zyrtar të prokurimit të Byrosë për Prokurime Publike, mund të konstatohet se janë respektuar të gjitha dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik, përfshirë edhe dispozitat për transparencën e procedurës. Gjithashtu, kushtet në dokumentacionin teknik rezultuan nga dialogu teknik i zhvilluar publikisht me të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar.

“Me akuza të tilla pa nevojë dhe pa bazë i shkaktohet dëm integritetit profesional të KSHZ-së, por paraqitet edhe një imazh në përgjithësi negativ i procesit zgjedhor dhe reputacionit të shtetit. “Për shkak të të gjitha pretendimeve të pasakta dhe të pavërteta të KSHPK-së, KSHZ-ja i redukton marrëdhëniet dhe komunikimin me KSHPK-në vetëm në obligimet e domosdoshme që burojnë nga kompetencat e përcaktuara me ligj”, thuhet në reagimin e KSHZ-së.

Mëngjesin e sotëm edhe prokuroria ka dalë me pretendimin se po i ngrin të gjitha aktivitetet e parashikuara nga memorandumi që kanë nënshkruar tre ditë më parë me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Edhe pse prokurori publik, Lubomir Joveskit tre ditë më parë me iniciativë të tij zhvilloi një takim me anëtarët e KSHPK-së dhe vlerësoi se pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim bilateral bashkëpunimi me KSHPK-në është përmirësuar dukshëm, sot prokuroria është e mendimit se ka një mosrespektim të njëanshëm të plotë të Memorandumit të nënshkruar.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dje njoftoi për veprimet e ndërmarra në rastin “Trust” dhe konfiskimin e pasurisë së “Transmet” të biznesmenit Sead Koçan dhe ka dorëzuar një iniciativë në prokurori. Kjo, për prokurorinë publike paraqet një fyerje, sepse për këtë rast tashmë ka lëndë dhe se iniciativa e KSHPK-së është e pabazë.

“Shtrohet pyetja se si PP e ka vlerësuar iniciativën si të pabazë dhe se Komisioni gjatë analizimit të rastit nuk ka pasur para vetes prova të shumta apo pasqyrë të gjendjes së plotë faktike, kur Iniciativa ende nuk është dorëzuar, ndërsa PP ende nuk ka njohuri se çfarë materialesh dëshmuese kemi ofruar gjatë analizës. Qëllimi i KSHPK-së është që të kontribuojë në zbardhjen e këtij rasti dhe jo të kompromentojë procedurën që zhvillohet në prokurori. Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve është vetëm shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim, por kompetencat janë të përcaktuara qartë në ligje”, thanë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Ndryshe,Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i ashtuquajtur Antikorrupsioni, më 19 korrik të këtij viti vendosi të dorëzojë iniciativë për ngritjen e procedurës për më shumë lëndë, për to mund të lexoni në linqet më poshtë: