Antikorrupsioni kërkon ndjekje penale për Dashtevskin dhe persona të tjerë në KSHZ për “pajisjet fingerprint”
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i ashtuquajtur Antikorrupsioni, vendosi të dorëzojë iniciativë për ngritjen e procedurës për ndjekje penale për të gjithë përgjegjësit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) deri te Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në lidhje me furnizimin e pajisjes për votimin me identifikim të gjurmëve të gishtit. Antikorrupsionerët vlerësojnë se gjatë furnizimit të të ashtuquajturave “pajisjet fingerprint” është kryer dëm ndaj Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nëpërmjet mosveprimit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare në dobi të personave të tretë, njofton Portalb.mk.
Këto gjetje janë të sqaruara në raportin prej 19 pikave në të cilin Antikorrupsioni ka punuar gjatë kohë. Disa prej gjetjeve kryesore janë se nuk mund të konstatohet shkallë e kënaqshme e besueshmërisë, pasi që vlera e përgjithshme e furnizimit është rritur nga 300 milionë denarë në 720 milionë denarë, gjegjësisht nga 5 deri në 12 milionë euro. Dyshimet e Antikorrupsionit janë edhe për shkak faktit se tenderi i parë ka dështuar, kështu që ka pasur ndryshim në komisionin për furnizime publike, që më pas tentativa e dytë të jetë e suksesshme.
“Nga zbatimi i përmbajtjes së dokumentacionit nga procedura e dështuar me versionet e dokumentacionit tenderial nga realizimi i procedurës shihen dallime në përmbajtjen e specifikimeve teknike. Dokumentacioni tenderial me specifikimet teknike, kriteret për zgjedhje të ofertës më të leverdishme dhe kriteret për mundësitë e operatorit ka qenë objekt i ndryshimeve të shpeshta. Edhe pse ndryshimet janë zbatuar sipas dispozitave ligjore për furnizime publike dhe në drejtim të plotësimit të një pjesë të kërkesave të operatorëve ekonomik, të njëjtat kanë ndikuar në cilësinë, saktësinë e plotë dhe precizitetin e informatave për mënyrën në të cilën do të zbatohet procedura për furnizime publike. Edhe pse ankesat nga operatori ekonomik janë refuzuar, nga Komisioni Shtetëror për ankesa për furnizime publike, të njëjtat tregojnë në dobësi në procesin e kontrollit paraprak të tregut dhe përmbajnë dyshime për kritere diskriminuese dhe joproporcionale për cilësi”, thuhet në njoftimin e Antikorrupsionit.
Ndryshe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, për herë të parë u përdorën aparatet “fingerint”. Për shkak të problemeve teknike që u shfaqën në aparatet për gjurmë të gishtërinjve, votimi dhe heshtja zgjedhore u zgjatën deri në orën 19:30, në mënyrë që t’u mundësohet të votojnë edhe personat që ishin duke pritur në oborr apa para vendvotimit, si pasojë e radhëve të krijuara.