Librat amë në RMV të hakuara – tregti me të dhënat personale të qytetarëve

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në mbledhjen e sotme hodhi dyshime serioze për tregti me miliona të dhëna personale të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Rasti i referohet digjitalizimit të librave amë, me të dhëna për personat e vdekur, personat e lindur dhe atë të martesave, të realizuar nëpërmjet të Drejtorisë për Menaxhimin e Librave Amë (DMLA), në një tender të cilin e ka fituar kompania Novatek Inv SHPKNJP, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit njoftoi për padi penale kundër dy ish drejtorëve të kësaj drejtorie.

Sipas antikorrupsionerëve, në dy procedurat e tenderit nuk janë paraparë masa adekuate të mbrojtjes për ruajtjen e privatësisë, gjegjësisht të dhënave personale të qytetarëve të RMV-së gjatë skanimit, kontrollit, menaxhimit, transmetimit dhe trajtimit të të dhënave personale nga ana e operatorëve ekonomik të angazhuar mbi bazë të marrëveshjeve të lidhura me Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë.

Kështu, gjatë definimit të kushteve të tenderit, janë kërkuar certifikata që dëshmojnë cilësinë e operatorëve ekonomikë për punë me të dhëna dhe informacione të klasifikuara, pra konfidenciale, por jo edhe cilësi për mbledhjen, kontrollin, përpunimin dhe transmetimin e të dhënave personale. Sipas Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të dhënat personale nuk janë klasifikuar që të konsiderohen si konfidenciale, por të njëjtat i nënshtrohen një rregulloreje me nivel të lartë të mbrojtjes në pajtim me legjislacionin për mbrojtje të të dhënave personale.

Drejtori i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, ka marrë vendim për zgjedhjen e ofertuesit më të mirë më datë 24.02.2021, ndërsa është përzgjedhur kompania Novatek Inv SHPKNJP Shkup në konsorcium me Operatorin Ekonomik Aukta SHPKNJP Shkup. Kompania Novatek Inv SHPKNJP Shkup është themeluar më datë 09.12.2020, pikërisht para fillimit të procedurës për dhënien e marrëveshjes për prokurimin publik.

Shifra burimore për qasje deri te të dhënat e librave amë është dhënë me një USB, ndërsa pranim-dorëzimi është nënshkruar nga një punonjës i Drejtorisë për Menaxhimin e Librave Amë të RMV-së, si dhënës dhe nga operatori ekonomik Novatek Inv SHPKNJP Shkup, si pranues“, thonë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska tha se te kjo lëndë ekziston një rrezik më i lartë sidomos për tregtimin me të dhënat personale dhe tha se shpreson që analizat e Komisionit do ju shërbejnë e hetuesve gjatë procedurave që do i ndërmarrin.

Nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është kërkuar që të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme të DMLA, me qëllim që të kontrollohet se kush ka pasur qasje te dokumentet e skanuara me të dhëna personale, si janë ruajtur ato, a kanë qenë të ruajtura, a ka qenë efikas dhe efektiv sistemi i vendosur për mbrojtjen e tyre dhe a janë përdorur ato për qëllime të paligjshme. Agjencia ka hyrë në DMLA dhe në gjetjet nga kontrolli i jashtëzakonshëm ka shënuar se ka “lëshime serioze gjatë digjitalizimit të librave amë”.

“Kontrolluesi, gjegjësisht DMLA nuk ka evidencë për hardverin, serverët dhe aplikacionet softuerike me të cilat përpunohen të dhënat personale, nuk ka kode për hyrje në evidencën amë, të dhënat personale janë të ruajtura në serverin pa mundësi për identifikimin e personave që kanë qasje në server, operatorët ekonomikë i kanë mbledhur të dhënat pa praninë e punonjësve nga DMLA, hapësira ku janë skanuar të dhënat personale nuk ka qenë e siguruar me mbrojtje fizike, nuk mund përcaktohet identiteti i personit që ka pasur qasje tek modulet softuerike ku janë futur dokumentet e skanuara dhe të dhënat personale, mediat për transmetim nuk kanë qenë të mbrojtura, nuk ka pasur të dhëna për mënyra për parandalimin e qasjes në të dhëna personale nga persona të paautorizuar, nuk dihet se kush ka pasur qasje në të dhënat personale, ku janë dërguar ato, ku kanë përfunduar dhe me çfarë qëllimi “, thuhet në gjetjet e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sipas, KSHPK, krahas kësaj ekziston edhe dyshimi se tenderët janë fituar si produkt i ndikimeve të paligjshme, ndërsa kjo është mbështetur edhe me gjetjet nga Drejtoria e Policisë Financiare.

Sa i përket tenderit për digjitalizimin e librave amë, në Prokurorinë Themelore Publike tashmë është ngritur një lëndë për përndjekje për krim të organizuar dhe korrupsion që nga muaji maj i vitit 2021. Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal për shkak të favorizimit të operatorit ekonomik Novatek Inv SHPKNJP Shkup në procedurën për dhënien e kontratës për prokurimin publik, ndërsa udhëheqës dhe zyrtarë të tjerë të punësuar në DMLA dyshohen për kushte diskriminuese dhe joproporcionale për përzgjedhje cilësore në dokumentacionin e tenderit, me qëllim që kontrata e prokurimit publik t’i jepet operatorit ekonomik Novatek Inv SHPKNJP Shkup.

Por përkundër kësaj, e njëjta kompani në dy raste, me dy drejtorë të ndryshëm që u ndërruan në DMLA , e fitoi tenderin për digjitalizimin.

Pronari dhe menaxheri i Novatek-ut përndryshe figuron si themelues dhe përfaqësues i Shoqatës për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës.

Digjitalizimi ishte paralajmëruar që katër vite më parë, kur më 25.02.2019 Qeveria e miratoi informacionin për përmirësimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave në institucione për zhvillimin e shërbimeve shtesë të internetit, me ç’rast ngarkoi disa institucione për mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit dhe të dhënave, si dhe Drejtorinë për Menaxhimin e Librave Amë që të dorëzojë plan për digjitalizimin e librave (regjistrave) amë me të dhëna për vdekjet, lindjet dhe martesat…

Në seancën e 135-të të mbajtur më 14.05.2019, qeveria miratoi informacion për lidhjen elektronike të 76 zonave amë me regjistrin elektronik të Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë dhe plan për digjitalizimin e plotë të regjistrave.