Sipas Antikorrupsionit “Rrugët e Maqedonisë” ka paguar çmim 10 herë më të lartë se sa çmimi real për asfaltim

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale Shkup (“MakedonijaPat (Rrugët e Maqedonisë”) Bekim Memedi, në vitin 2020 ka kryer prokurim publik për furnizim me bitum (material për asfaltim) nga një kompani furnizuese, e vetmja e cila ka aplikuar në këtë shpallje, për të cilin ka paguar shpenzime shtesë deri në 60 përqind më të larta se sa çmimi i produktit bazë, bitumit, shkruan Portalb.mk.

“Nga dokumentacioni për këtë prokurim publik kemi konstatuar se çmimi me të cilin është përllogaritur blerja e bitumit në bazë të formulës për përllogaritjen e tij në vitet paraprake, por edhe pas vitit 2022, është dukshëm më i ulët për dallim nga prokurimi i kontestuar i kontraktuar më 24.06.2020. Duke pasur parasysh se në vitin 2022 u shënuan çmime dukshëm më të larta për naftën dhe derivatet e naftës që përfshihen në shumën totale të shpenzimeve tjera, është e paqartë se pse gjatë prokurimit janë paguar shpenzime dytësore shumë herë më të larta sesa çmimi i bitumit”, tha anëtari i KSHPK-së, Goran Tërpenoski.

Ai i propozoi, ndërsa anëtarët e Komisionit pranuan që KSHPK-ja të dorëzojë në Prokurori për Krim të Organizuar dhe Korrupsion iniciativë për shqyrtimin e keqpërdorimit të mundshëm të pozitës dhe kompetencave zyrtare nga ish-drejtori i NP “Rrugët e Maqedonisë” gjatë prokurimit të bitumit nga viti 2020 deri në vitin 2022, drejtpërdrejt ose përmes një ndërmjetësi tjetër, për përfitime personale ose për dikë tjetër.

Janë paguar fatura me çmime dukshëm të larta, të cilat janë fituar në bazë të formulës për përllogaritjen e çmimit të bitumit, në përputhje me dispozitat e marrëveshjes së lidhur ndërmjet palëve.

Sipas KSHPK-së ajo që më tutje tregon për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare dhe shkelje të dispozitave ligjore është mosveprimi sipas udhëzimeve të Byrosë për Prokurime Publike si institucion kompetent në ushtrimin e kontrollit administrativ ndaj procedurave të prokurimit publik.

Lëndë e marrëveshjes kornizë është prokurimi i bitumit 50/70 për prodhimin e asfaltit për një periudhë dyvjeçare. Sipas marrëveshjes së lidhur është dashur të dorëzohen 9.350 ton bitum, ndërsa duke pasur parasysh se një cisternë mund të transportonte rreth 25 tonë bitum, rezulton se Ndërmarrja Publike do të blejë bitum që do të transportohet me 347 cisterna. Në raport tregohet edhe metodologjia në bazë të së cilës është përllogaritur çmimi i bitumit, kështu që nga një përllogaritje e tillë del se për një cisternë për transportin e 25 tonëve bitum do të paguhen 748.125,00 denarë ose 12.175 euro.

Parashtruesi bën krahasimin e këtij çmimi të përllogaritur për transportin e bitumit me çmimin për transport i cili është paraparë në Marrëveshjen speciale për prokurim publik të mallrave – bitumit, të lidhur në mes të NP “Rrugët e Maqedonisë” Shkup dhe një kompanie private, sipas së cilës çmimi për transportin e një cisternë me bitum është 73.100,00 denarë ose 1.185 euro.

Sipas parashtruesit, ekziston bazë për anulimin e marrëveshjes së lidhur nga NP për mbrojtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale – Shkup në pajtim me nenin 114 të Ligjit për prokurim publik, sepse ofertuesit kanë ofruar çmime më pak të favorshme se ato reale në treg.

Ditëve të fundit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar një sërë parregullsi në disa institucione në vend: