Joveski dhe KSHPK do ta forcojnë bashkëpunimin dhe aktivitetet në kuadër të Frontit nacional për parandalimin e korrupsionit

Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski, u takua me anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Takimi, siç njoftuan nga Prokuroria, është në kuadër të aktiviteteve të Frontit Nacional për luftën kundër korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

“Në takim në kuadër të aktiviteteve për forcimin e Frontit Nacional për parandalimin e korrupsionit, dy institucionet i shqyrtuan mundësitë për një avancim plotësues të bashkëpunimit të ndërsjellë. Kështu, Joveski vlerësoi se pas nënshkrimit të memorandumit dypalësh për bashkëpunim është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, edhepse gjithmonë ekziston hapësirë të lehtësohet edhe më shumë shkëmbimi i informatave dhe mendimeve për lëndë konkrete”, njoftuan nga Prokuroria.

Sipas njoftimit, Joveski i ka prezantuar aktivitetet që i planifikon Prokuroria Publike në periudhën në vijim dhe gjendjet dhe sfidat me të cilat përballët prokuroria në kuadër të veprimit të saj.

Iniciativa për formimin e Frontit Nacional për luftimin e korrupsionit ishte e paralajmëruar nga Prokuroria si një nga masat për azhurnitet më të madh në veprimtarinë e këtij institucioni”.

“Në kuadër të kompetencave të veta si organ që udhëheq me procedurën hetimore, Prokuroria Publike do tu japë udhëzime konkrete institucioneve të tjera të policisë gjyqësore për dinamizim të veprimeve të tyre, do të insistojë për bashkëpunim dhe do të kërkojë që të gjithë institucionet e tjera të përgjigjen me përpjekje maksimale dhe angazhime në luftën kundër kriminalitetit”, thuhej në njoftimin e 11 korrikut të vitit 2023.

Masat e Prokurorisë vijojnë pas kontrollit të kryer të mbi 30 lëndëve që janë në vijim e sipër ndaj kryetarit të komunës së Strugës Ramis Merko, të cilin departamenti i shtetit amerikan e vendosi në listën e zezë për shkak të involvimit në korrupsion dhe ndërhyrje nëpër procese gjyqësore.