RMV, fëmijët me tre doza Di-Te-Per prej sot kthehen në kopshte

Kopshtet hapin sot dyert për fëmijët që kanë marrë tre doza të vaksinës DiTePer. Kusht është që ata të rivaksinohen në gjashtë muajt e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Komiteti kombëtar i imunizimit shpjegoi se një vendim i tillë vjen pas vlerësimit se një fëmijë i vaksinuar me tre doza në gjashtë muajt e fundit do të jetë i mbrojtur në mënyrë optimale.

Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor javën e kaluar ka kryer qindra inspektime të jashtëzakonshme në kopshte dhe kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim.

Në vend janë regjistruar gjithsej 216 raste me kollë të mirë dhe 88 për qind ose 190 janë në kryeqytet, ku më 8 shkurt është shpallur epidemi e kollës së mirë.

Shifrat për imunizimin e fëmijëve që shkojnë në kopshtet e fëmijëve në Shkup janë dërrmuese.

Rreth 50 për qind e tyre nuk janë të vaksinuar, në ndryshim nga kopshtet e brendshme ku mbulimi me vaksina është mbi 95 për qind.

Autoritetet apelojnë për vaksinim masiv të fëmijëve, ndërsa vaksinat për të rriturit, të cilat nuk janë të detyrueshme, tashmë kanë mbërritur.

Kujtojmë se me 14 mars, Komisioni për Sëmundje Infektive, vendosi që fëmijët që janë vaksinuar me dozën e tretë të DiTePer në 6 muajt e fundit mund të shkojnë në kopsht. Në të njëjtën kohë, ata duhet të rivaksinohen brenda 6 muajve pas marrjes së dozës së tretë.