RMV, Qeveria dhe sektori i biznesit duhet të zbatojnë rekomandime që qëndrojnë në sirtar prej shtatë vitesh

Financimi publik mbetet një nga çështjet më të mëdha të organizatave të shoqërisë civile lidhur me mbështetjen e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Procesi i reformës së financimit shtetëror, me gjithë përpjekjet, nuk u realizua në vitin 2022 dhe përveç kësaj, në vend që të parashikonin rritje të financimit shtetëror, organizatat e shoqërisë civile u përballën me reduktim të fondeve në baza të ndryshme. Komisioni Shtetëror për Letrat me Vlerë dhe Bursa e Maqedonisë ende nuk ka formuar komisionin për revizion i cili do të ketë kompetencë të mbikëqyrë ndërmarrjet dhe menaxhmentin e tyre. Këto rekomandime që Transparency International i dha në raportin e tyre “Sistemi i integritetit kombëtar të Maqedonisë” as Qeveria dhe as Komisioni nuk arritën t’i zbatojnë. Institucioneve të Maqedonisë së Veriut, iu nevojiten vite të tëra për të implementuar reforma, të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionimin efikas të sistemit shtetëror, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të këtij raporti janë dhënë rekomandime sipas Sistemit Kombëtar të Integritetit për sektorin e biznesit në Maqedoni. Rekomandime iu dhanë Odës Ekonomike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bursës së Maqedonisë. Nga dy rekomandime në Sistemin Kombëtar të Integritetit për sektorin e biznesit në Maqedoni, është zbatuar vetëm njëri.

Komisionit Shtetëror për letrat me vlerë dhe Bursës së Maqedonisë iu rekomandua të formojnë komision për revizion i cili do të ketë kompetencë të mbikëqyrë ndërmarrjet dhe menaxhmentin e tyre.

  • Rekomandimi mbetet ende, i njëjti nuk është zbatuar, pasi një lloj i tillë komisioni ende nuk është krijuar.

Odës ekonomike iu rekomandua të miratojë një kod sektorial të qeverisjes së korporatës që do të përmbajë procedurat për zbatimin e kodeve të sjelljes dhe zhvillimin e programeve dhe politikave kundër korrupsionit për subjektet e biznesit.

  • Rekomandimi është zbatuar dhe kodi i qeverisjes korporative të shoqërive aksionare të listuara në Bursën e Maqedonisë SHA Shkup është zbatuar.
Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut. Foto: Ueb-faqja e institucionit
Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut. Foto: Ueb-faqja e institucionit

Raporti dha rekomandime për promovimin dhe përmirësimin e punës në sektorin civi, plotësimi i të cilave është vetëm 75%. Përkatësisht, njëri nga katër rekomandimet, mbetet ende sfidë për Qeverinë e RMV-së.

Qeverisë iu rekomandua që të financojë aktivitetet e OJQ-ve përmes një procesi transparent dhe pjesëmarrës, pa ndikime të panevojshme.

  • Rekomandimi nuk është zbatuar dhe financimi publik mbetet një nga çështjet më të mëdha të organizatave të shoqërisë civile lidhur me mbështetjen e shtetit. Kuadri ligjor në lidhje me financimin publik të OJQ-ve nuk është përmirësuar në mënyrë domethënëse gjatë viteve. Procesi i reformës së financimit shtetëror, me gjithë përpjekjet, nuk u realizua në vitin 2022 dhe përveç kësaj, në vend që të parashikonin rritje të financimit shtetëror, organizatat e shoqërisë civile u përballën me reduktim të fondeve në baza të ndryshme.

Qeverisë iu rekomandua që të përmirësojë dhe të bëjë transparente procedurat për konsultime politike me grupet e shoqërisë civile.

  • Ky rekomandim është zbatuar dhe kuadri ligjor përcakton qartë standardet për përfshirjen e OJQ-ve në të gjitha proceset e politikbërjes. Dokumentet e ndryshme ofrojnë bazë për përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në krijimin e politikave dhe përgatitjen e legjislacionit në nivel të Qeverisë dhe në nivel të Kuvendit.

Organizatave civile iu rekomandua vetërregullimi dhe hartimi i një Kodi etik për OJQ-të.

  • Rekomandimi është zbatuar dhe Kodi i Etikës me iniciativën e QMBN është hartuar dhe tashmë është duke u zbatuar në mesin e organizatave të shoqërisë civile. Deri më tani, 51 organizata civile e kanë nënshkruar dhe po zbatojnë këtë Kod.

Qeveria duhej të prezantojë stimuj tatimorë për OJQ-të.

  • Ligji për Tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) u ndryshua në vitin 2019 dhe u bë më i favorshëm për OJQ-të dhe kjo qasje pozitive përdoret më së shumti nga organizatat e shoqërisë civile.

    Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), foto: Portalb.mk
    Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), foto: Portalb.mk

Antikorrupsioni dhe policia i plotësuan detyrimet

Përderisa Qeveria dhe sektori i biznesit në Maqedoni kanë stagnime në disa reforman Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe Ministria e Punëve të Brendshme, kanë zbatuar plotësisht rekomantimet e TI-Maqedoni.

Komisioni për Antikorrupsion ka miratuar kod të brendshëm të sjelljes, kanë siguruar që deklaratat e pasurisë dhe konfliktit të interesave të jenë në dispozicion të publikut, gjegjësisht ueb-faqen e KSHPK-së.

KSHPK-ja, gjithashtu zbatoi rekomandimin të sigurojë publikimin e punës dhe vendimeve të saj së bashku me shpjegimet, veçanërisht lidhur me vendimet për financimin politik, konfliktin e interesave dhe deklaratat e pasurisë dhe interesave, duke publikuar të dhëna në ueb-faqe. Si dhe, KSHPK publikon rregullisht të gjitha raportet e miratuara për të cilat ka obligim dhe në vazhdimësi i dërgon të gjitha raportet Kuvendit.

Mirë ndodhet e renditur sa i përket zbatimit të rekomandimeve edhe Ministria e Punëve të Brendshme, për të cilën TI thotë se ka vepruar sipas të gjitha rekomandimeve dhe ka ndërmarrë veprime për përmbushjen e tyre.

 

Këto janë rekomandime të Transparency International – Maqedoni të vitit 2016 në kuadër të raportit: “Sistemi i integritetit kombëtar i Maqedonisë”, i cili përmban një analizë të gjendjes me shtyllat e integritetit të Maqedonisë në lidhje me korrupsionin dhe efektivitetin e përpjekjeve kombëtare për t’u përballur me korrupsionin. Në kuadër të këtij raporti u bë analizë dhe vlerësimi për 15 shtylla, të cilat janë pjesë e rregullores shtetërore të vendit.

Ndërkohë tani, TI-M është duke përgatitur një raport të ri që duhet të publikohet gjatë tetorit 2023, ku pritet të jepen të dhëna më të detajuara mbi rekomandimet e pazbatuara të institucioneve shtetërore në RMV.

Kujtojmë se kritika të ngjashme janë dhënë edhe në  raportin e Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian, i cili u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.