Kopenhaga – kryeqytet i biçikletave, Shkupi dhe Tetova “armiq” të biçikletave (Video)

Kryeqyteti danez – Kopenhaga është lider në Evropë por edhe botë për sa i përket përdorimit të biçikletave, por edhe infrastrukturës rrugore për biçikleta. Për fat të keq, Maqedonia e Veriut është shumë larg vendit ideal për çiklizëm, shkruan Portalb.mk.

Kopenhaga, shumë shpesh është renditur në vend të parë si qyteti i çiklizmit, si shembull mund të marrim versionin më të fundit të Indeksit të Copenhagenize dy-vjetor nga 2019.

Në Kopenhagë ka mbi gjysmë milioni biçikleta, ndërsa statistikat tregojnë se 9 në 10 danezë posedojnë një biçikletë.

Biçikleta në Kopenhagë - Danimarkë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Biçikleta në Kopenhagë – Danimarkë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Se Danimarka dhe jo vetëm kryeqyteti i saj është vendi ideal për çiklistët e tregojnë edhe të dhënat nga Ambasada e Çiklistëve të Danimarkës.

Sipas tyre, mesatarisht danezët ecin me biçikletë 1.4 kilometra në ditë. Ndërkaq, kjo mesatare për Kopenhagën është 3 kilometra në ditë, ndërsa për dy qytetet tjera më të mëdha mesatarja si në Aarhus është 1.9 kilometra dhe në Odense – 2.1 kilometra.

Në Kopenhagë ka pesë herë më shumë biçikleta se sa vetura. 49% e të gjitha udhëtimeve në punë ose shkollë në Kopenhagë kryhen me biçikletë.

Në dhjetë vitet e fundit, Kopenhaga ka investuar mbi 200 milionë dollarë në infrastrukturën e çiklizmit. Ndërsa, synimi i këtij kryeqyteti është që në vitin 2025 50% e të gjitha udhëtimeve për në punë dhe për në shkollë të bëhen me biçikletë , kjo përqindje në vitin 2019 ishe 44%.

Biçikleta në Kopenhagë - Danimarkë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Biçikleta në Kopenhagë – Danimarkë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Rrjeti i rrugëve kombëtare të çiklizmit përfshin 4,770 kilometra në të gjithë Danimarkën, ndërsa korsia e parë e biçikletave në Danimarkë daton që në vitin 1892.

Vitin e kaluar (2022), Ministria Daneze e Transportit njoftoi se viti 2022 është “Viti i Biçikletës”. Kjo nismë u lançua si pjesë e një plani të madh infrastrukturor, duke investuar 458 milionë dollarë në infrastrukturën e re të çiklizmit.

Se si kjo funksionon në praktikë, mund të shihni disa sekuenca të çiklizmit në pjesë të ndryshme të Kopenhagës të incizuara nga gazetari i Portalb.mk.

Maqedonisë së Veriut është larg këtyre statistikave dhe i duhet shumë punë në këtë drejtim.

Qytetarë e vendit nuk kanë shumë interes për ta përdorur biçikletën si mjet transporti, por edhe infrastruktura rrugore lë shumë për të dëshiruar.

Si institucioneve për krijimin e kushteve, por edhe qytetarëve për t’u vetëdijesuar dhe për të pasur interes për përdorimin e biçikletës.

Për shembull, në kryeqytet – Shkup ka shtigje të biçikletave nëpër rrugët kryesore, por ata mungojnë nëpër rrugët dytësore dhe lagje.

Shtylla të prera për mbrojtjen e shtigjeve të biçikletave, makina të parkuara në zonën ku duhet të lëvizin çiklistët, shtigje të pashënuara për biçikleta ose të shënuara në mënyrë të papërshtatshme, degë pemësh të paprera që varen mbi shtigje, kosha plehrash dhe shumë gozhda, qelq, rërë dhe materiale të tjera të rrezikshme për gomat e biçikletave. Kjo është kryesisht pamja e shëmtuar e infrastrukturës së çiklizmit në Shkup.

Shpesh herë, shtigjet e biçikletave janë bosh ose përdoren për parkimin e veturave, sipas asaj thënies së njohur “Kam pak punë shkurt, kthehem për pesë minuta”. Mangësitë sa i përket përdorimit të biçikletave tashmë i kemi të njohura dhe Portalb.mk dhe Meta.mk ka kohë që shkruajnë për to. Si rezultat i infrastrukturës jopërkatëse dhe mungesës së kulturës në komunikacion, ka pasur edhe raste kur çiklistët kanë humbur jetën nga aksidenti me veturë.

Shteg biçikletash në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shteg biçikletash në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Tetovë situata është ende më kritike, nuk ka asnjë shteg të dedikuar për biçikleta ndërsa çiklistët lëvizin rrugëve së bashku me makinat, kështu duke vënë edhe në rrezik veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Sipas të dhënave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, gjatë vitit 2022, në zonën e Tetovës kanë ndodhur 21 aksidente trafiku me çiklistë. Prej tyre, në 19 aksidente, lëndime të lehta kanë pësuar 19 çiklistë, një prej tyre ka mbetur viktimë në aksident trafiku dhe një i çiklist ka kaluar pa lëndime. Ndërsa, në vitin 2023, deri më 11 qershor, në rajonin e Tetovës kanë ndodhur gjithsej 5 aksidente trafiku, në të cilat kanë qenë të përfshirë çiklistë, 4 prej tyre kanë kaluar vetëm me lëndime trupore, ndërsa një prej tyre është konstatuar me lëndime të rënda trupore.

Bulevardi "Ilinden" - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bulevardi “Ilinden” – Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Indikator i krahasueshëm për gjendjen në shoqërinë në RMV sa i përket përdorimit të një lloji të transportit ekologjik dhe të shëndetshëm me atë në Evropë është përqindja e familjeve që posedojnë një biçikletë. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme që i kombinoi Meta.mk nga informacionet e disponueshme nga Еurostat, Statistа dhe Enti Shtetëror i statistikave i Republikës së Maqedonisë së Veriut, familjet në RMV janë në fund të listës për sa i përket posedimit të biçikletave.