RMV, deri në fund të vitit do të vëzhgohet zbatimi, pastaj do të ketë dënime të ashpra për tregtarët
Në Maqedoninë e Veriut deri në Vitin e Ri do të ndiqet zbatimi i Ligjit për praktika tregtare të padrejta, pastaj do të ketë dënime të ashpra për tregtarët që nuk e respektojnë, transmeton 360Shkallë, përcjell Portalb.mk.
Ligji ishte miratuar në marsin e këtij viti, ndërsa në fund të muajit shtator kishte mbaruar periudha gjashtëmujore për harmonizim me dispozitat ligjore nga ana e furnizueseve dhe blerësve të cilët kanë nënshkruar marrëveshje për blerjen e produkteve.
Për tregtarët që nuk do të respektojnë Ligjin për praktika tregtare të padrejta prej fillimit të vitit të ri do të ketë dënime rigoroze, paralajmëroi sot zëvendësministri për ekonomi dhe punë, Marjan Risteski.
Në dy muajt e ardhshëm, si deklaroi Risteski, do të kryhet monitorimi ndaj zbatimit të Ligjit për ka hyrë në fuqi në fund të këtij shtatori.
Risteski vlerësoi që të gjitha masat, duke përfshirë edhe këtë ligj, është në interes të qytetarëve dhe përmirësimit të standardit jetësor.
Ndryshe, prej 28 shtatorit hyri në fuqi Ligji për praktikat e padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, i cili duhet të ulë edhe më shumë çmimet e produkteve ushqimore. Zgjidhja ligjore përfshin një listë me mbi 2500 produkte bujqësore dhe ushqimore, rebati i të cilave do të kufizohet në 10 përqind, gjë që do të ndikojë në uljen e çmimeve me pakicë.
Varësisht nga ashpërsia dhe rëndësia e shkeljes, Ligji parashikon dënime për kundërvajtjet më të rënda dhe kundërvajtjet. Shuma më e lartë e gjobës për kundërvajtjen më të rëndë mund të jetë deri në 20.000 euro për një tregtar të madh dhe nga 350 deri në 500 euro për personin përgjegjës. Shuma më e lartë e gjobës për kundërvajtje që mund të shqiptohet në procedurë është 5000 deri në 6000 euro për tregtarin e madh dhe 350 deri 500 euro për personin përgjegjës.