Parlamenti Evropian me raportues të ri për Maqedoninë e Veriut

Eurodeputeti austriak Tomas Uajc është emëruar raportues i ri i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, raporton MIA. Uajc, i cili vjen nga të Gjelbrit evropianë, ishte edhe bashkë kryesues i Partisë së Gjelbër Evropiane. 

Në shkurt të vitit 2017, Uajc ishte emëruar anëtar i këshillit të Partisë së Gjelbër Evropiane dhe ishte zgjedhur në mars të vitit 2017 në kongresin e Të gjelbërve Globalë dhe Të gjelbërve Evropianë në vitin 2017 në Liverpul, si anëtar i vetëm austriak i bordit të Partisë së Gjelbër Evropiane. Në këtë pozitë ai është përgjegjës, mes tjerash, për bashkëpunim me Partitë e Gjelbra në Çeki, Slloveni, Poloni, Hungari dhe Shqipëri dhe e mbështet zhvillimin e partive të gjelbra në Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi. Në qershor të vitit 2022 ai u rizgjodh në Këshillin e 35-të të Partisë së Gjelbër Evropiane si bashkë kryesues i EGP bashkë me senatoren franceze Melani Vogel nga Ekologjia Evropiane Franceze – Të gjelbrit.

Në profilin e tij në rrjetin social “X”, mes tjerash, shkruan se angazhohet për zgjerimin e BE-së, me fokus të Ballkanit Perëndimor.

Shumica e grupeve politike në Parlamentin Evropian nominuan anëtare të tyre për pozicionet raportuese për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tonino Picula nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve do të jetë raportues për Serbi, përderisa Andreas Shajder nga partia e njëjtë do të jetë raportues për Shqipërinë. Eurodeputeti slloven Marjan Sharec nga Renew Europe do të jetë raportues për Malin e Zi.

Partia Popullore Evropiane (PPE) i mori pozicionet për raportues për Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut po përballet me pengesa të brendshme dhe të jashtme në procesin eurointegrues. Qeveria taktizon me letrën të cilën e paralajmëroi se do të dërgohet deri te BE me propozime se si të zhbllokohet procesi i eurointegrimeve. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ende po bëhen analiza dhe se hapa të përshpejtuar do të mund të jenë veprim i keq. Ai kërkoi pak durim, që të “mundemi me kokë të ftohtë të bëjmë gjumë dhe të sjellim vendim të duhur”.

Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, në fillim të muajit tetor deklaroi se Qeveria po punon për gjetjen e zgjidhjeve për integrimet evropiane të vendit, por se ato nuk do të shpallen para zgjedhjeve në Bullgarinë fqinje.