Qeveria e RMV-së vendosi të kufizojë marzhin e disa produkteve ushqimore bazë deri në 10%
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Qeveria në seancën e sotme mori vendim që të kufizojë marzhin bruto të fitimit të disa prej produkteve ushqimore bazë në 10% si në shitje me shumicë ashtu edhe me pakicë. Lista e produkteve ushqimore bazë në të ashtuquajturën shporta e vjeshtës përfshin 73 produkte që janë më të përfaqësuara në shportën e konsumit të qytetarëve, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk.
“Këtë vendim e kemi marrë në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, për indeksin e kostos së jetesës, të cilat tregojnë se krahasuar me muajin gusht 2024 me dhjetor 2023, është shënuar rritje e kostos së ushqimit me 4%, nga të cilat rritja më e madhe ka qenë tek frutat me 10.9%, te qumështi, djathi dhe vezët me 6.6%, te perimet me 3.9%, te mishi me 3.6%, dhe te bukë dhe drithërat me 2%”, njoftoi Durmishi.
Për të njëjtën periudhë, kostot e pijeve joalkoolike janë rritur me 9,4%, nga të cilat uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet e frutave dhe perimeve janë rritur me 11,1%, ndërsa kafeja, çaji dhe kakao janë rritur me 7,7%.
“Sipas të dhënave, në konsultim me grupin e punës i cili u formua nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë, mendojmë se kjo rritje e kostove të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike është e tepërt dhe disproporcionale në raport me rritjen e kostove për prokurimin dhe kostot operative që bëjnë tregtarët. Vlerësimet tona janë se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kostoja e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike do të ulet mesatarisht me rreth 10%, gjë që do të ulë edhe koston e jetesës në shportën e konsumatorit për grupin e ushqimeve dhe pijeve”, tha Durmishi.
Tregtarët e produkteve që përfshihen në shportën e vjeshtës duhet t’i shënojnë qartë me mbishkrimin “më pak harxhime, më shumë për ju” që është publikuar në faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ekonomisë dhe Punës.
Gjithashtu, shitësit me shumicë dhe pakicë do të kenë detyrim të blejnë dhe shesin në sasi mujore të paktën 70% të sasive të blera në muajin gusht 2024 të këtyre produkteve të listuara.
Ky vendim hyn në fuqi ditën e nesërme nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe do të zbatohet deri më 31 tetor 2024.
“Siç e kam paralajmëruar edhe më herët, kjo masë si shportë e konsumit të vjeshtës në periudhën në vijim do të aplikohet si shportë për Krishtlindje, Ramazan, Pashkë me kohëzgjatje të kufizuar para dhe gjatë festave kur zakonisht rriten çmimet e produkteve ushqimore bazë, me qëllim për të mbrojtur standardin e qytetarëve”, tha Durmishi.
Lista e produkteve përfshin miell, bukë dhe produkte buke, qumësht dhe produkte qumështi, mish dhe produkte mishi, disa fruta dhe perime, oriz, fasule, makarona, vaj ushqimor dhe disa produkte të konservuara.
Ndryshe, Enti Shtetëror i Statistikave së fundmi ka njoftuar që kostoja e jetesës dhe çmimet me pakicë në muajin gusht kanë shënuar rritje për 2.2 përqind, gjegjësisht 3 përqind, krahasuar me gushtin e kaluar.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë raportoi që shporta minimale mujore të një familje në muajin gusht ka arritur 61.199 denarë.