RMV, çdo muaj nga tre persona me akuza për keqpërdorim të të dhënave personale

Gjatë vitit të kaluar në Prokuroritë Publike themelore në mbarë vendin janë pranuar 86 kallëzime penale për Keqpërdorim të të dhënave personale nga neni 149 i Kodit Penal, nga të cilat 39 janë zgjidhur me kallëzim apo propozim për lëshimin e urdhrit penal, thuhet në analizën e Prokurorisë Publike, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2022, nga ana tjetër, në prokurori janë pranuar 88 kallëzime penale për keqpërdorim të të dhënave personale, prej të cilave 31 janë zgjidhur me ngritje të aktakuzës ose me urdhër penal.

Kjo vepër penale kryhet nga personi që mbledh, përpunon ose përdor të dhënat personale të qytetarit, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me ligj, pa pëlqimin e qytetarit. Për këtë vepër parashikohet gjobë ose burgim deri në një vit.

Kallëzimet dhe paditë për veprën penale "Keqpërdorimi i të dhënave personale" sipas viteve, burimi: Prokuroria Publike e RMV-së
Kallëzimet dhe paditë për veprën penale “Keqpërdorimi i të dhënave personale” sipas viteve, burimi: Prokuroria Publike e RMV-së

I njëjti ndëshkim zbatohet për këdo që depërton në një sistem informatik kompjuterik të të dhënave personale me qëllim që ta përdorë atë për vete ose për një tjetër për të përfituar ndonjë përfitim ose për t’i shkaktuar ndonjë dëm tjetrit.

Nëse kjo vepër kryhet nga një zyrtar në kryerjen e detyrës, atëherë dënimi është nga tre muaj deri në tre vjet burg. Përpjekja për të keqpërdorur të dhënat personale është gjithashtu e dënueshme.

Keqpërdorimi i të dhënave personale shpesh bëhet për të marrë kredi të shpejta, në emër të dikujt tjetër. Policia këtë muaj ka bërë kallëzim penal kundër një gruaje 45-vjeçare nga Struga, e cila në vitin 2023 me identitet të rremë ka hapur dy kompani në Strugë, pas së cilës ka lidhur kontratë pune me tre persona. Më pas ajo përdori të dhënat e tyre dhe bëri aplikim elektronik për kredi të shpejta në emër të tyre. Më pas i ka transferuar paratë e miratuara në një llogari tjetër transaksioni dhe i ka përdorur për nevojat e saj.

Një vendim gjyqësor i shkallës së parë është sjellë edhe ndaj një kompanie që shiste çajra, duke përdorur të dhëna personale të mjekëve, pa lejen e tyre dhe pa dijeninë e tyre.

Në dhjetor të vitit të kaluar, zyrtarët policorë kanë arrestuar një 28-vjeçar nga fshati Arangel i Kërçovës. Ai me letërnjoftim të një personi tjetër dhe pa pëlqim ka tentuar të marrë kredi nga një kompani kreditore në Kërçovë dhe në këtë mënyrë të përfitojë përfitim pasuror të kundërligjshëm. Gjatë kontrollit në vendin e tij, zyrtaët e policisë i gjetën dhe i konfiskuan letërnjoftimin.

Policia e Manastirit para pak kohësh ka bërë kallëzim ndaj një burri nga Prilepi i cili në profilin e tij në Facebook ka postuar video dhe statuse për një grua nga Manastiri dhe familjen e saj. Sipas policisë, ai ka shkarkuar foto nga profili i saj dhe i bashkëshortit dhe i ka shpërndarë në profilin e tij në rrjetin social pa pëlqimin e tyre, si dhe ka postuar video në profilin e tij duke i kërcënuar.

Nga Prokuroria thonë se janë duke u punuar për disa nga kallëzimet penale të ngritura nga policia.