5000 euro gjobë për kompaninë dhe 2100 euro për personin përgjegjës për shitjen e çajrave me imazhin e dr. Panovskit

“Përhapësit e lajmeve të rreme për çajra dhe preparate të tjera të pavlera, të cilët keqpërdorën emrin tim, fotot e çfarë jo, për t’u pasuruar personalisht duke mashtruar pacientët, janë dënuar me vendim të formës së prerë”, njoftoi sot mikrobiologu në faqen e tij në Facebook Dr. Nikolla Panovski, transmeton Portalb.mk.

Ai thotë se aktgjykimi për keqpërdorim të të dhënave personale për promovimin e çajrave “Parasol” dhe “Hipertea” është miratuar pas një viti e gjysmë.

Kompania importuese dhe distributore “MONAD PLUG Ltd. Shkup” është dënuar me 5000 euro gjobë, ndërsa personi përgjegjës Dejan Jovanovski është dënuar me 2100 euro, informoi Panovski.

Përveç tij, aktgjykimi është marrë edhe për keqpërdorim të të dhënave personale të profesorëve dhe mjekëve Velo Markovski dhe Maja Mojsova.

“Drejtësia është vënë pjesërisht. Gjegjësisht, kompania dhe i dënuari janë ende në punë, atë që kanë fituar penalisht do ta kthejnë brenda një jave. Prandaj, nuk kishte se si t’i gjykonte për mashtrim të qytetarëve, për të ndaluar aktivitetin e tyre, nuk kishte bazë në ligj për këtë krim në internet, por vetëm për keqpërdorim të të dhënave personale”, thuhet në postimin e Dr. Panovski në Facebook.

Ai thotë se po vazhdon procedurën civile për të kërkuar dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh për keqpërdorimin dhe dhimbjen shpirtërore.

Në rrjetet sociale shpesh keqpërdoren reklama false për disa preparate të ofruara nga mjekë fiktivë apo emra mjekësh eminentë. Mes të tjerëve në shënjestër ishte edhe Panovski, i cili padyshim nuk kishte asnjë lidhje me reklamimin e ndonjë ilaçi kundër parazitëve. Vetë ai deri më tani ka reaguar në Facebook në disa raste se emri i tij po keqpërdoret për reklama të rreme dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes.