Oda e Mjekëve të RMV-së: Institucionet të mbrojnë mjekët nga abuzimi për reklamim të rremë

Oda e mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, publikisht kërkon nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të veprojnë urgjentisht dhe të parandalojnë keqpërdorimin e integritetit dhe autoritetit profesional të mjekëve në funksionin e reklamimit të rremë të formave të paverifikuara të preparateve mjekësore, barnave, suplementeve ushqimore, metodave apo ndihmave për mjekim, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në portalet e internetit dhe rrjetet sociale, transmeton Portalb.mk.

“Oda shpesh merr ankesa nga mjekë të cilët ankohen se zbulojnë rastësisht se emri dhe fotografia e tyre po përdoren për promovimin dhe shitjen e produkteve të caktuara pa pëlqimin ose dijeninë e tyre. Ky përdorim i integritetit të tyre profesional ka pasoja të rënda negative, si për reputacionin e tyre si profesionistë mjekësorë, ashtu edhe për pacientët që mund të bien viktimë e këtij mashtrimi”, thonë nga Oda.

Siç njoftojnë nga kjo Odë, bëhet fjalë për reklama manipuluese dhe false për të ashtuquajtura produkte medicinale, preparate dhe metoda me origjinë, përbërje ose prodhim të paverifikuar. Në reklama publikohen deklarata të fabrikuara apo intervista me mjekë të vërtetë dhe fotot e tyre, pa dhënë pëlqimin e duhur mjekët për të përdorur emrin dhe integritetin profesional për reklamimin e këtyre preparateve, prandaj kjo mund të konsiderohet si abuzim i rëndë i të dhënave personale dhe reklamim i rremë për përfitime materiale.

“Dëmi është edhe më i madh kur për shkak të reklamimit të rrejshëm të preparateve, pacientëve mund tu krijohet përshtypja se këto janë disa lloje të barnave mrekullibërëse dhe në këtë mënyrë neglizhojnë terapinë e rregullt dhe shkaktojnë dëme serioze në shëndetin e tyre”, thonë ata.

Oda inkurajon mjekët që janë viktima të abuzimeve të tilla të raportojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kur është e mundur të paralajmërojnë pacientët për këto reklama të rreme.

“Një numër i madh i mjekëve tashmë kanë dorëzuar kallëzime penale me prova përkatëse në institucionet kompetente. Deri më tani, Oda ka reaguar publikisht dhe ka paralajmëruar përmes njoftimeve për pasojat, por ende nuk kemi informacione për vendimet e prokurorit publik për këto raste”, thonë nga Oda e mjekëve.

Oda e mjekëve dënon ashpër të gjitha keqpërdorimet e tilla dhe kërkon veprime më të shpejta për zbardhjen e menjëhershme të rasteve dhe sanksionimin e duhur të autorëve. Në këtë mënyrë, thonë ata, do të mbrohen edhe mjekët edhe pacientët, do të parandalohet gjenerimi i rasteve të reja të abuzimit dhe do të parandalohet mundësia e dëmtimit të shëndetit të qytetarëve.