RMV, çdo ditë, mjekët përshkruajnë rreth 5.100 receta për diazepam

Enalapril, diazepam dhe metformina janë tre barnat që janë shitur më shumë në vitin 2022, përkatësisht mjekët kanë përshkruar numrin më të madh të recetave për to. Sipas raportit të fundit për barnat gjenerike të lëshuar nga sistemi TerminiIm, për ilaçin Enalapril (enap) për presionin e lartë të gjakut, në vitin 2022 janë lëshuar 1.824.877 receta. Më pas vjen metformina, ilaçi për diabetin e tipit 2, me 1.801.568 receta dhe më pas është ilaçi diazepam, qetësuesi, me 1.357.857 receta të lëshuara, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nëse numri i përgjithshëm i recetave të lëshuara për diazepam pjesëtohet me 265 (pa fundjavat e vitit), rezulton se në nivel shtetëror përshkruhen rreth 5100 receta për diazepam në ditë.

Ajo që paralajmërojnë mjekët me të cilët ka biseduar Meta.mk është se është e pamundur të dihet me saktësi nëse këto janë shifrat reale të barnave të shitura, pasi shumë prej tyre blihen nga qytetarët privatisht, pa recetë.

“Nuk mund të dihet saktësisht se sa diazepam shiten, sepse sasi të mëdha blihen edhe privatisht, por askush nuk i numëron. Ndoshta janë edhe më shumë se këto që janë të regjistruara në sistemin TerminiIm”, thotë doktor Nenad Lazarov për Meta.mk.

Po ashtu, sipas të dhënave në TerminiIm që i ka siguruar Meta.mk nga Ministria e Shëndetësisë, mjekët kanë lëshuar edhe 1.141.585 receta për ilaçin bisoporol (për tensionin e lartë). Mjaft i lartë është edhe numri i recetave të lëshuara për lisinopril, një ilaç për presionin e lartë të gjakut, me 976,462 receta të lëshuara në një periudhë njëvjeçare.

Në vitin 2022, 647.453 receta u përshkruan për “heleks” (qetësues), dhe 47.578 për prazepam (dimitrinë). Nga janari i këtij viti deri më 22 nëntor 2023, për këtë ilaç janë lëshuar 591.164 receta. Për prazepamin, nga ana tjetër, janë përshkruar 49.894 receta, çka tregon se numri i recetave për këtë bar tashmë është rritur, ndonëse deri në fund të këtij viti kalendarik ka mbetur edhe pak më shumë se një muaj.

Në Maqedoni një numër i madh i qytetarëve kanë marrë recetë edhe për ilaçin pantoprazol (nolpazë), i cili është ilaç për stomakun (1.057.221 receta).

Sipas të dhënave për vitin 2023, pra nga janari i këtij viti e deri më tani janë lëshuar 1.204.599 receta për diazepam, por deri në fund të këtij viti kalendarik ka edhe më shumë se një muaj, kështu që ky numër do të vazhdojë të rritet.

Ajo që është evidente është se numri i recetave të lëshuara për tensionin e lartë dhe qetësuesit po rritet çdo vit.