RMV, buxheti për vitin 2026: Rreth 30 përqind më pak mjete për standardin studentor
Në vitin 2026, shteti do të shpenzojë rreth 30 për qind më pak mjete për standardin studentor, thuhet në projektbuxhetin e arsimit për vitin e ardhshëm kalendarik. Siç theksohet, në vitin 2026 pritet ulje prej 560 milionë denarësh për këtë kategori, që përfaqëson gati një të tretën më pak mjete krahasuar me këtë vit, kur buxheti për standardin studentor arrin 1.8 miliardë denarë. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) nuk dhanë përgjigje të drejtpërdrejtë pse është zvogëluar ky buxhet, por theksuan se mjetet janë planifikuar që të përdoren për komponentën zhvillimore në pjesën e infrastrukturës, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
“Në buxhetin e vitit 2026 janë paraparë mbi 1.3 miliardë denarë për standardin studentor. Mjetet janë projektuar sipas llogaritjeve për të mundësuar realizimin pa pengesa të të gjitha të drejtave studentore që i siguron MASh, si bursat, pjesëmarrja për strehim në konviktet studentore dhe ushqimi i subvencionuar. Ndërsa komponenta zhvillimore i përket investimeve infrastrukturore. Aty vazhdon rindërtimi i konvikteve studentore dhe projektet për ndërtimin apo rinovimin e objekteve, përfshirë ndërtesën e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI) dhe Fakultetin e Kulturës Fizike (FKF). Një pjesë e mjeteve do të investohen edhe për themelimin e një parku shkencoro-teknologjik që do të përdoret nga gjeneratat e ardhshme akademike”, thanë nga MASh për Meta.
Për uljen e buxhetit të standardit studentor reaguan tashmë edhe përfaqësues të Forumit për Reforma në Arsim (FRA). Ata kërkuan nga MASh të qartësojë dhe specifikojë plotësisht zërat buxhetorë, nga të cilët, sipas tyre, janë hequr 7.3 milionë euro të parapara për standardin studentor.
Në një intervistë për “Tellma”, drejtori i Forumit, Blendi Hodai, deklaroi se bëhet fjalë për një hap jotransparent.
“Shpresojmë, si Forum për Reforma në Arsim, që ulja e zërit buxhetor për standardin studentor të mos jetë pasojë e masës së re për pajisje elektronike, të cilën e konsideroj shpenzim joefikas të parasë publike. Me këtë buxhet, një student nuk mund të blejë një pajisje elektronike cilësore”, tha ai për “Tellma”.
Reagim pati edhe nga LSDM, prej nga vlerësuan se kjo është goditje e re për çdo të ri që përpiqet të arsimohet dhe të zhvillohet në vendin e tij.
“Në buxhetin e vitit 2026, Qeveria e VMRO-DPMNE-së i ul mjetet për standardin studentor për plot 7.3 milionë euro”, thuhej në reagimin e tyre.
Ndërkohë, mbrëmë përfaqësues të Kuvendit Studentor të Universitetit të Shkupit (KSU–UKIM) u takuan me përfaqësues të MASh, pas së cilës reaguan se studentëve u duhet përkrahje, e jo ulje e buxhetit për standardin studentor.
“Gjatë takimit u informuam se projektbuxheti është hartuar bazuar në nevojat reale të studentëve dhe se nuk do të pengohet realizimi i të drejtave ekzistuese, si bursat, ushqimi i subvencionuar, apo pjesëmarrja për akomodim në konviktet studentore”, thanë nga KSU–UKIM.
Vitin e kaluar, Meta.mk shkroi për gjendjen e konvikteve studentore dhe nevojën e tyre për rindërtim. Atëherë, autoritetet paralajmëruan se rinovimi i konvikteve “Steve Naumov” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu” do të zgjaste 18 muaj. Kjo, sipas vlerësimet aso kohe, nënkuptonte se konviktet nuk do të funksiononin edhe për të paktën dy vite akademike, ndërsa rihapja e tyre do të mund të ndodhte më herët në fillim të vitit akademik 2026/2027.
Gjithashtu, studentët e FINKI-t protestuan për mungesën e hapësirave, por edhe sot e kësaj dite ndërtesa e re pranë Rektoratit të UKIM-it nuk është përfunduar dhe nuk është vënë në përdorim.