ANALIZË: Pjesa zhvillimore e buxhetit të vitit 2026 në RMV, ku u shkurtuan e ku u rritën paratë për investime kapitale (Infografik)
Vitin e ardhshëm, për nënprogramet zhvillimore të buxhetit të vitit 2026, të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve kapitale në të gjithë sektorët, janë dedikuar 607.203.000 euro, dhe kjo shumë është zvogëluar për 70 milionë euro krahasuar me buxhetin e ribalancuar të këtij viti, i cili arrin në 676.578.051. Duke i krahasuar të dhënat nga buxheti i ri me atë aktual, analiza ekonomike javore e Portalb.mk i analizoi se cilat ministri sa para do të marrin për investime publike.
Shkurtime në shumicën e ministrive që janë kompetente për shpenzimet strategjike kapitale
Një ulje të ndjeshme të mjeteve përmes nënprogrameve zhvillimore të buxhetit të vitit 2026 ka në Ministrinë e Transportit. Vitin e ardhshëm, kjo ministri për investime kapitale përmes këtij “zëri” do të ketë në dispozicion 199,2 milionë euro, që është për 70,3 milionë euro më pak se shuma e këtij viti, që është pozicionuar në gati 270 milionë euro. Reduktim të fondeve përmes buxhetit bazë ka për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, e po ashtu zvogëlohen edhe mjetet për infrastrukturën hekurudhore të planifikuara përmes kredive dhe dotacioneve. Përmes kësaj ministrie është planifikuar blerja e autobusëve për transportin publik të qytetit, për të cilët janë planifikuar 5,1 milionë euro.
Ministria e Arsimit vitin e ardhshëm, për investime publike përmes nënprogrameve zhvillimore do të marrë 31 milionë euro, dhe kjo shumë është ulur për 5,4 milionë euro krahasuar me këtë vit. Krahasimi i buxhetit të ri me atë aktual tregon se ka një zvogëlim të fondeve për objektet infrastrukturore në komuna, për ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, për rinovimin energjetik të konvikteve të studentëve, ndërsa ka një rritje të lehtë të fondeve për ndërtimin e sallave sportive në shkollat fillore.
Ministria e Financave – funksionet e shtetit vitin e ardhshëm, do të ketë 37,1 milionë euro të dedikuara për zhvillim përmes ndihmës para-anëtarësimit IPA, dhe kjo shumë është zvogëluar për pothuajse 19 milionë euro krahasuar me këtë vit.
Një ulje të konsiderueshme të fondeve për investime publike përmes pjesës zhvillimore të buxhetit të vitit 2026 ka edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga 32,8 milionë euro të këtij viti në 23,3 milionë euro, dhe kjo shumë i referohet reformave në polici dhe rikonstruksionit dhe pajisjes së ndërtesave, me ç’rast “shkurtimi” është në zërin për reformat në polici.

Në Ministrinë e Shëndetësisë pjesa më e madhe e shumës prej 5,1 milionë eurosh vitin e ardhshëm do të shpenzohet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e institucioneve publike shëndetësore dhe për furnizimin e pajisjeve mjekësore, dhe krahasuar me këtë vit, shuma pothuajse është përgjysmuar. Për Spitalin e ri të Përgjithshëm të Kërçovës janë rezervuar vetëm 58.000 euro, dhe e njëjta shumë është planifikuar edhe për ndërtimin e dy qendrave klinike në Shkup dhe Shtip. Sa i përket buxhetit aktual të ribalancuar, paratë për rikonstruksionin e institucioneve shëndetësore publike janë përgjysmuar, ndërsa shuma për pajisjet mjekësore është rritur.
Një reduktim të ndjeshëm përmes pjesës zhvillimore të buxheti ka në Ministrinë e Kulturës – vitin e ardhshëm janë planifikuar 1 milion euro për financimin e projekteve infrastrukturore në komuna në fushën e kulturës, që është pothuajse për 4.500.000 euro më pak se këtë vit.
Gjithashtu një reduktim të ndjeshëm të fondeve ka edhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale – vitin e ardhshëm për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe pajisjen e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve, objekteve për mbrojtje sociale, shtëpive për të moshuarit dhe projekteve të infrastrukturës sociale në komuna janë planifikuar 4,3 milionë euro, dhe krahasuar me këtë vit, kjo shumë totale është zvogëluar për pothuajse 3 milionë euro.
Reduktim të fondeve për investime kapitale përmes nënprogrameve zhvillimore të buxhetit ka edhe në Ministrinë e Transformimit Digjital – këtë vit 5,3 milionë euro, ndërsa vitin tjetër 4,1 milionë euro.
Më shumë para në krahasim me këtë vit përmes pjesës zhvillimore të buxhetit të vitit 2026 do të kenë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Energjisë dhe Ministria e Drejtësisë. Shpenzimet totale kapitale vitin e ardhshëm janë pozicionuar në 640 milionë euro dhe ato janë zvogëluar në krahasim me këtë vit ekonomik.