RMV, BDI me keqardhje konstaton “vetlargimin” e 5 anëtarëve të Kryesisë

Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim përmes një kumtese pas mbajtjes së mbledhjes së djeshme informoi se konstaton dhe shpreh keqardhje të thellë për vendimin e pesë anëtarëve të kryesisë për “vetëlargim” nga Kryesia Qendrore e partisë, vendim që ata e morën në mbledhjen e KQ më 1 prill 2023, njofton Portalb.

Ata informojnë se në mbledhjen e mbrëmshme janë analizuar dhe diskuruar rrethanat dhe zhvillimet në vend dhe në parti.

“Kryesia Qendrore, duke konstatuar në bazë të analizave dhe informacioneve kredibile se në rajonin tonë po krijohet një dinamikë e re si mundësi unike për një rrugë të përshpejtuar për integrim të vendit në Bashkimin Evropian, nënvizon domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrimeve tona si shtet përmes ndryshimeve kushtetuese të cilat do të mundësojnë që të kapim këtë moment historik dhe të sigurojmë të ardhme evropiane për vendin tonë”, njoftojnë nga BDI.

Në kumtesën partiake potencohet se Kryesia Qendrore ka zyrtarizuar vendimin për procesin e ardhshëm zgjedhor në degët e Bashkimit Demokratik për Integrim që do të mbahet në 2 korrik 2023.

“Këto zgjedhje brenda degëve të BDI-së që do të mbahen sipas parimit “një anëtar” një votë, do të shërbejnë si platformë për vendimmarrje kolektive dhe do të forcojnë më tej vlerat demokratike që e karakterizojnë partinë tonë”, theksojnë nga BDI.

1 prill të këtij viti, pas përfundimit të mbledhjes “Grupi i zjarrit” informoi se do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së. Ata më 6 prill të këtij viti shpalosën fraksionin e tyre brendapartiak, duke theksuar disa nga arsyet pse nuk janë të kënaqur me udhëheqësinë e BDI-së

Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.