RMV, bakterie dhe kërpudha lulëzojnë në ujëra të ndenjur, evitoni larjen në pishina të pafiltruara

Uji nëpër pishina duhet të jetë adekuat njëjtë si uji për pije. Duhet patjetër të pastrohet dhe të dezinfektohet. Që të mund të jenë njerëzit të sigurt, duhet edhe ato vetë të bëjnë kujdes për higjienën personale para se të hyjnë në pishinë që të mos e ndotin ujin, thotë për Meta.mk prof. d-r Mihaill Koçubovski, transmeton Portalb.mk.

Ambienti i ngrohtë dhe me lagështi, tipik për pishinat ku ka ujë të ndenjur, është i përkryer për lulëzim dhe përhapje të bakterieve, virusëve dhe këpurdhave. Tek të rriturit, e posaçërisht tek fëmijët mund të shkaktojnë vështirësi dhe infeksione seriose të lëkurës, syve, veshëve.

Prandaj, për atë se për çfarë duhet bërë kujdes gjatë larjes në pishina individuale ose publike, si dhe për sigurinë e ujërave në pishina dhe liqene, Meta.mk bisedoi me prof. d-r Mihaill Koçubovskin, udhëheqës i Departamentit të ekologjisë shëndetësore pranë Institutit të shëndetit publik.

“Uji nëpër pishina duhet të jetë adekuat njëlloj si uji i pijshëm. Duhet patjetër të pastrohet dhe të dezinfektohet. Që të mund të jenë njerëzit të sigurt, duhet edhe ato vetë të bëjnë kujdes për higjienën personale para se të hyjnë në pishinë, që të mos e ndotin ujin. Duhet të ketë garderobë, dush, korridor të ngushtë me vaskë me ujë në të cilën ka tretje me dezinfektues, për t’i dezinfektuar këmbët”, thotë Koçubovski.

Uji për pishina (publike apo të hoteleve) rekomandohet që të analizohet një herë në javë. Këtë e bëjnë ekipe prej qendrave të shëndetit publik, që marrin dhe analizojnë mostra.

“Sipas informacioneve tona, deri tani nuk është gjetur diçka kontestuese”, informon Koçubovski.

Në ujë të ndenjur në pishinë lulëzojnë bakteriet e zorrëve, por edhe bakterie nga të cilat paraqiten infeksione të veshëve apo të lëkurës. Prandaj rekomandohet që asnjëherë të mos gëlltitet uji i ndenjur apo të bëhet zhytje në të, paralajmëron Koçubovski.

“Duhet të evitohet larja në ujë të pafiltruar. Duhet të bëhet kujdes, sidomos fëmijët duhet të kenë kujdes të mos u futet ujë në veshë sepse mund të shkaktohet inflamacion i veshit të mesëm. Gjithashtu duhet të bëhet kujdes edhe për sytë që të mos vijë deri te konjuktiviti”, paralajmëron Koçubovski.

Sa u përket analizave të ujit nëpër liqenet natyrale, nga aspekti bakterial dhe ai fiziko-kimik, ai thotë se janë të sigurt për tu larë.