Pendarovski me ministren portugeze të mbrojtjes Carreiras, biseduan për bashkëpunimin në mbrojtje

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim Ministren e Mbrojtjes së Republikës Portugeze, Maria Helena Carreiras, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, procesin e reformave në vend me synim përmirësimin e infrastrukturës ushtarake dhe modernizimin e forcave të armatosura, si dhe aktivitetet e përbashkëta në kuadër të NATO-s me qëllim forcimin e Aleancës dhe përmbushjen e synimeve të përbashkëta në siguri dhe mbrojtje, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski e përshëndeti Marrëveshjen e nënshkruar për bashkëpunim bilateral në mbrojtje ndërmjet dy vendeve dhe shprehu pritjen se ajo do të kontribuojë në intensifikimin e bashkëpunimit maqedono-portugez në mbrojtje, bashkëpunim në fushën e politikës së sigurisë, operacioneve paqësore, trajnimeve dhe arsimit të përbashkët.

“Në takim u shkëmbyen informacione për situatën në Ukrainë, me ç’rast presidenti Pendarovski rikonfirmoi mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe ndihmën ushtarake, politike dhe humanitare që vendi i jep Ukrainës”, thonë nga kabineti i Presidentit.

Në kontekst të situatës aktuale lidhur me integrimet evropiane, presidenti Pendarovski falënderoi përpjekjet e kryesisë portugeze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe për mbështetjen e përgjithshme nga Portugalia për integrimet evropiane të Maqedonisë.

Kujtojmë se dje ministret e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska dhe të Portugalisë, Maria Helena Carreiras, nënshkruan Marrëveshjen e parë për bashkëpunim dypalësh të mbrojtjes ndërmjet dy vendeve, e cila do të intensifikojë bashkëpunimin maqedono-portugez në mbrojtje.

Ministret Petrovska dhe Carreiras në konferencën e përbashkët për shtyp thanë se Marrëveshja është gur themeli i zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale dhe se do të forcojë mbrojtjen kolektive në NATO.

“Sot është një ditë e rëndësishme për vendet tona dhe për bashkëpunimin tonë, sepse për herë të parë nënshkruam Marrëveshjen për bashkëpunim dypalësh në mbrojtje mes aleatëve Maqedoninë e Veriut dhe Portugalinë dhe me këtë treguam se NATO nënkupton edhe bashkëpunim më të fortë në mbrojtje, sepse ne kemi një qëllim të përbashkët, unik”, tha ministrja Petrovska.

Ajo informoi për fushat që mbulon Marrëveshja, si intensifikimi i konsultimeve në fushën e politikës së sigurisë, operacioneve të paqes, trajnimeve dhe edukimit të përbashkët, si dhe aktiviteteve për mbrojtjen e mjedisit. Çështjet gjinore në mbrojtje dhe siguri janë gjithashtu pjesë e marrëveshjes.