RMV, 18 vjet burg për vrasësin që e rrahu deri në vdekje shokun e tij

I pandehuri 56 vjeçar mori një dënim me 18 vjet burg sot në Gjykatën Themelore në Gjevgjeli, pasi u shpall fajtor për krimin Vrasje në mënyrë mizore. Ai mbetet në paraburgim derisa vendimi, i cili është i shkallës së parë, të bëhet i formës së prerë, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

Vasil Rezhak, 56 vjeçar nga Sretenovo, Dojran, e kreu vrasjen pasditen e 1 nëntorit 2025.

“I pandehuri me dashje vrau Nikola Timevin pranë një objekti ushqimor në fshatin Sretenovo, Komuna e Dojranit. Ai më parë kishte qenë shoku i tij me të cilin ishin ulur në shkallë dhe kishin pirë, por në një moment midis tyre shpërtheu një grindje verbale që u përshkallëzua në një përleshje fizike”, thuhet në aktakuzë dhe vendim.

Goditjet që i pandehuri i shkaktoi pa mëshirë shokut të tij shpjegohen në detaje.

“Rezhak fillimisht e goditi Nikollën me duar dhe këmbë, dhe më pas me një shufër metalike, duke i shkaktuar më shumë se një duzinë thyerjesh në gjymtyrë dhe kafkë. Nga goditjet që zgjatën pothuajse gjysmë ore, i dëmtuari nuk arriti të mbrohej dhe pësoi lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të bollshme. I pandehuri e la atë në shkallë dhe iku me vrap”, thuhet në aktakuzë.

I dëmtuari Timev u vu re nga kalimtarët të cilët thirrën ndihmë të menjëhershme mjekësore dhe u dërgua në Qendrën Mjekësore në Gjevgjeli, ku vdiq si pasojë e lëndimeve të marra.