Rivitalizimi i Qendrës së re Tregtare në Tetovë kërkohet edhe në Këshillin Komunal

Këshilli i Komunës së Tetovës së fundmi miratoi planin strategjik për zhvillimin ekonomik lokal të Komunës së Tetovës për vitin 2023-2027. Megjithatë, për të njëjtën pati kritika se përse aty nuk është përfshirë asnjë pikë rreth rivitalizimit të Qendrës së re Tregtare në qytet, për gjendjen e të cilës Portalb.mk raportoi para pak javësh.

Sipas Sektorit për Zhvillim Ekonomik Lokal, Strategjia për zhvillim lokal për vitin 2023-27 paraqet dokument strategjik bazë, të përpiluar në harmoni me strategjitë nacionale dhe ndërkombëtare, ku gjatë përpilimit të tij janë marrë parasysh edhe sugjerimet dhe propozimet edhe të këshilltarëve, administratës, bizneseve dhe OJQ-ve.

Por për këtë, këshilltari komunal nga Alternativa, Faton Selami pyet se pasi është zhvillim ekonomik lokal pse nuk është paraparë asnjë fjalë për rivitalizimin e Qendrës së re Tregtare dhe Qendrës së vjetër Tregtare, të cilat gjenden në pjesën qendrore të qytetit?

“Ata janë dy komplekse të cilat janë në gjendje të mjerueshme dhe kërkojnë rivitalizim urgjent. Mendoj se në këtë plan duhet të futet ndonjë zgjidhje edhe për ato dy qendra tregtare”, tha Selami.

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi theksoi se “është cekur që do të bëhet avancimi i planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës, është e përfshirë”.

Ndërkaq, Elmi Osmani nga Sektori për Zhvillimin Ekonomik Lokal theksoi se rivitalizimi i Qendrës së re Tregtare, pa aktivitete tjera shtesë nuk mund të zgjidhet për shkaqe pronësore.

“Pjesa dërmuese e dyqaneve janë prona private dhe deri tash nuk kam një zgjidhje të qëndrueshme për zgjidhje, në momentin që do krijohet mundësi e re, ide më kreative rreth kësaj do të shtohet në planin aksional. Për momentin, për çështje pronësore nuk është se komuna mund të bëjë diçka”, tha Osmani duke theksuar se ky plan është në vija të trasha.

Qendra e re tregtare në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qendra e re Tregtare në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, këshilltari Selami këmbënguli se Komuna ka kompetenca si për shembull për zgjidhjen e çështjes së ujit nëpër lokale që nuk kanë, si ata lokale në kat të dytë e kështu me radhë.

Kjo kërkesë, sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit është me vend dhe duhet të pranohet.

“Ka pasur më herët plan për zhvillimin e qendrës së re tregtare nga “Ecologu” po për ata probleme që i përmendi përfaqësuesi i sektorit ka qenë e pamundur ajo të realizohet dhe ka mbetur ashtu siç është. Por, kjo nuk domethënë se ne nuk duhet ta fusim në kërkesë për t’i dhënë zhvillim asaj pjese dhe rivitalizim. Njëjtë edhe Qendrës së vjetër tregtare, e kemi në procedurë miratimin e përpilimit të blloqeve urbane, planeve detale për ato blloqe urbane, një ndër të cilët përfshin edhe Qendrën e vjetër tregtare ku në përpilim e sipër mund të vijë edhe propozimi për t’i dhënë zhvillim edhe asaj pjese”, tha Kasami.

Ndërkaq, Këshilli Komunal me 27 vota “për” votoi për këtë strategji duke  përfshirë edhe kërkesat dhe propozimet rreth Qendrës së re Tregtare.

Portalb.mk kohë më parë pyeti edhe Qeverinë e RMV-së nëse kanë ndonjë plan për rikonstruim të kësaj Qendre, por nga atje na thanë shkurt se e njëjta nuk është në pronësi të tyre.

Qendra e re tregtare në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qendra e re tregtare në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë që Qendra e re Tregtare mbetet me kushte shumë të këqija, sidomos në katin e dytë dhe të tretë janë të frikshme për sigurinë njerëzore. Nuk ka dritë të mjaftueshme, ndërkaq vetëm pak lokale janë funksionale. Hapësirat e lokaleve të braktisura janë me dyer dhe dritare të thyera, mbajnë erë të keqe. Këto janë vetëm disa nga problemet e kësaj qendre e cila gjendet në zemër të qytetit. Portalb.mk së fundmi realizoi edhe një anketë me qytetarët, të cilët kërkuan që kjo qendër të rikthehet në qendër moderne.

Përndryshe, kjo qendër tregtare u ndërtua para rreth 30 viteve. E njëjta ka lulëzuar deri në vitin 1999, por pas këtij viti ajo ka ngelur si një bunker në mes të qytetit, si dhe humbi shkëlqimin e saj që kishte dikur duke mbetur në gjendje të keqe.