Qendra e re tregtare në Tetovë e shëmtuar dhe jofunksionale, qytetarët kërkojnë objekt modern (Video)

Quhet “Qendra e re tregtare” në Tetovë, apo e njohur ndryshe si “Kompleksi i ri”, por dukjen e ka të stilit arkitekturor të betonizuar komunist. Këtu koha e zhvillimit ka ndaluar, derisa qytetet tjera ndërtojnë qendra tregtare moderne. Kushtet në këtë qendër tregtare janë shumë të këqia, sidomos në katin e dytë dhe të tretë janë të frikshme për sigurinë njerëzore. Nuk ka dritë të mjaftueshme, ndërkaq vetëm pak lokale janë funksionale. Hapësirat e lokaleve të braktisura janë me dyer dhe dritare të thyera, mbajnë erë të keqe, janë të mbushura me mbeturina dhe ujë nga shiu, shkruan Portalb.mk. Këto janë vetëm disa nga problemet e kësaj qendre e cila gjendet në zemër të qytetit. Në këtë objekt ka edhe institucione shtetërore si “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit”, “Një pikë për shërbime” dhe të tjera.

Portalb.mk realizoi anketë me qytetarët e Tetovës se si e shohin ata këtë qendër tregtare, në kohën kur qendrat e reja tregtare moderne po i bëjnë konkurrencë njëra tjetrës për nga kushtet dhe bukuria.

Shumica e qytetarëve me të cilët biseduam shprehen se kushtet nuk janë të mira dhe se duhet të punohet për përmirësimin e tyre. Kështu u shprehën disa nga ata për kamerën e Portalb.mk.

“Unë si rrallë vij këtu, mendoj se jemi të kënaqur. Mendojmë që të ndërtohet edhe pak, më mirë të jetë edhe kati i dytë i treti të jenë më të pasura me materiale, ashtu që mendoj do të vinte mirë të bëhet”

“Duhet të punohet më shumë sigurisht. Qendra katastrofë tani e pashë, hypa lartë, se di. Duhet të rregullohet por kush ta bëjë.”

“Sigurisht duhet të përmirësohen, ata njerëz që punojnë këtu duhet të kenë kushte më të mira. Normal se duhet (të modernizohet), shiheni tavanin këtu nuk është diçka në rregull, se kështu mirë është po ka nevojë për tu përmirësuar për tu bërë diçka më e re”.

“Jemi të kënaqur, por mund të jetë ende më mirë”.

Megjithatë, shumica e qytetarëve të tjerë me të cilët biseduam, kryesisht pronarë të bizneseve apo punonjës nëpër lokale në këtë qendër, nuk deshën të flasin para kamerës, megjithatë disa prej tyre prapa kamerës na thanë:

“Katastrofë është çka të të them, po nuk dua të dal para kamerës se kam lokal këtu”

“Çka të të them bre vëlla, a se sheh si pikon shiu”.

“Keq, keq, keq, si mund të lihet gjithë ky objekt në qendër të qytetit në këtë gjendje. Nuk jam i kënaqur”

“Nuk jemi të kënaqur, mundet shumë më mirë të bëhet”.

“Këtu poshtë s’është edhe aq keq, por katet lartë janë skandal”

Përndryshe, kjo qendër tregtare u ndërtua para rreth 30 viteve. E njëjta ka lulëzuar deri në vitin 1999, por pas këtij viti ajo ka ngelur si një bunker në mes të qytetit, si dhe humbi shkëlqimin e saj që kishte dikur duke mbetur në gjendjen të cilën mund ta shihni në videon më poshtë.