Shumë pak e përdorim biçikletën dhe ecim, edhe pse aplikacionet ofrojnë përfitime për kilometrat e kaluara (infografik)

Qytetarët e Maqedonisë nuk kanë shumë interes për ta përdorur biçikletën si mjet transporti, por ka një aplikacion që mund ta ndryshojë këtë qëndrim jo vetëm për transportin me biçikletë, por edhe për ecjen. Aplikacioni Challenger për të tretin vit me radhë në mënyrë aktive u ofron qytetarëve të Maqedonisë mundësinë për përfitime dhe për ta reduktuar emetimin e gazrave serë në përditshmërinë e tyre, ndërsa deri më tani ky aplikacion përdoret nga rreth 11.000 qytetarë, shkruan Meta.mk.

Si është në Evropë?

Në vendet evropiane, nga 20 deri në 40 përqind të të gjitha udhëtimeve qytetarët i bëjnë me biçikletë ose në këmbë, ndërsa kjo përqindje është më e lartë në Holandë. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian qytetarët e Britanisë së Madhe më shpesh lëvizin në këmbë, ndërsa holandezët, danezët dhe suedezët kryesisht me biçikletë.

Ecja është kryesisht në distanca më të shkurtra deri në pesë kilometra, kështu që pothuajse 45 përqind e qytetarëve të Britanisë së Madhe udhëtojnë në këmbë. Sa  i përket transportit me biçikleta, pothuajse 39 përqind e të gjitha distancave më të shkurtra se pesë kilometra qytetarët holandezë i kalojnë me biçikletë. Në Maqedoni, në uebfaqen e Entit Shtetëror të Statistikave nuk mund të gjenden të dhëna të tilla statistikore.

Megjithatë, një indikator i krahasueshëm për gjendjen në shoqërinë në Maqedoni sa i përket përdorimit të një lloji të transportit ekologjik dhe të shëndetshëm me atë në Evropë është përqindja e familjeve që posedojnë një biçikletë. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme që i kemi kombinuar nga informacionet e disponueshme nga Еurostat, Statistа dhe Enti Shtetëror i statistikave i Republikës së Maqedonisë së Veriut, familjet në Maqedoni janë në fund të listës për sa i përket posedimit të biçikletave.

Kështu, në Gjermani pothuajse 80 përqind e familjeve posedojnë një biçikletë, ndërsa një mjet të tillë transporti në shtëpitë e tyre kanë edhe rreth 70 përqind e polakëve dhe norvegjezëve. Përkundër kësaj, biçikletë në amvisëritë e tyre kanë vetëm 37 përqind e maqedonasve dhe rreth 27 përqind e grekëve.

Nëse merren parasysh shifrat e këtilla statistikore, nuk është për t'u habitur fakti që rrugët dhe parkingjet në Maqedoni janë të “stërngjeshura” me automjete, ndërsa shtigjet e biçikletave janë bosh ose përdoren për parkimin e veturave, sipas asaj thënies së njohur “Kam pak punë shkurt, kthehem për pesë minuta". Mangësitë sa  i përket përdorimit të biçikletave tashmë i kemi të njohura  dhe Meta.mk ka kohë që shkruan për to, por këtë herë do të raportojmë se si edukimi digjital dhe një aplikacion mund t’i motivojë qytetarët që të përdorin biçikletë ose të ecin më shumë.

Challenger i motivon qytetarët që të përdorin biçikletë dhe të ecin

Аplikacioni Challenger u lançua në gusht të vitit 2020 dhe deri më tani ka rreth 11.000 përdorues. Me çdo kilometër të kaluar në këmbë ose me biçikletë, përmes aplikacionit mblidhen pikë. Pikët e mbledhura mund të përdoren për të përfituar një zbritje në disa nga vendet në dyqanin Challenger. Gjithashtu, çdo përdorues mund të zgjedhë një sfidë, për përmbushjen e së cilës mund të fitojë një shpërblim. Aplikacioni përdor Google Fit për të matur me saktësi aktivitetet e përditshme sa i përket ecjes dhe përdorimit të biçikletës nga ana e përdoruesve.

Ollga Rajçiq nga ekipi i Green IT SHPK e cila e zhvilloi këtë aplikacion për celularë thotë se komuniteti i tyre deri më tani ka arritur të përshkojë më shumë se 1 milion kilometra të gjelbër, duke reduktuar kështu emetimet e dioksidit të karbonit në ajër.

Gjatë kohës së pandemisë së Covid-19, interesimi i përdoruesve për aplikacionin nuk ishte i madh, por sot përdorimi i Challenger-it tek qytetarët po rritet. Për zhvillimin e këtij aplikacioni, ekipi i tyre në vitin 2019 e fitoi vendin e parë në një konkurs rajonal për ide për biznes të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Rajçiq thotë se aplikacioni përdoret nga të rinjtë nga 18 vjeç e deri tek ata që janë 75 vjeç. Përdorimi i këtij aplikacioni është pa pagesë, ndërsa përfitimet, kryesisht për bashkëqytetarët e rinj, janë të shumëfishta.

“Së pari, ata bëhen pjesë e një komuniteti të ndërgjegjshëm për mjedisin për mjedisin jetësor. Si përfitim i dytë fitojnë pikë për çdo kilometër të kaluar dhe ato pikë mund të shkëmbehen me zbritje në bizneset lokale në vendin tonë”, shpjegon për Meta.mk Ollga Rajçiq.

Numri më i madh i bizneseve ku mund të shfrytëzohen zbritjet janë në Shkup, Manastir dhe Gjevgjeli, por ekipi i tyre po punon për zgjerim në mbarë vendin.

Si pjesë e sfidave të ofruara brenda vetë aplikacionit, përdoruesit më të shpejtë dhe më të mirë marrin shpërblime të drejtpërdrejta nga bizneset partnere të Challenger.

“Në fund të ditës, ata e shohin edhe ndikimin e tyre personal, domethënë kontributin e tyre në shoqëri - sa kilometra të gjelbër kanë kaluar dhe sa emetim të CO2 kanë kursyer falë aktivitetit të tyre”, shton Rajçiq.

Duke përdorur Challenger të rinjtë mund të japin shembull për bashkëmoshatarët e tyre sa i përket përdorimit të një mjeti ekologjik të udhëtimit, i cili nuk ndot e ajrin dhe nuk shkakton emetim të gazrave serë që shkaktojnë ndryshime klimatike.

Në të njëjtën kohë të rinjtë i ndihmojnë edhe bizneset lokale, nga ku përfitojnë zbritje që i përdorin gjatë blerjeve që bëjnë.

Ollga Rajçiq tregon se janë të rinjtë ata që kanë një tendencë më të madhe që të dinë ta përdorin më lehtë aplikacionin e tyre, por për ata që nuk e kanë të lehtë ta përdorin atë, në dispozicion kanë një ekip për mbështetje teknike.

Përdorimi efektiv i teknologjisë, si pjesë e definicionit të asaj se çfarë përbën edukimi digjital, po rritet gjithnjë e më shumë në fushën e aplikacioneve celulare, nga aspekti i aaj se ka zgjidhje digjitale që japin njëfarë kontributi social.

“Problemi është se ne nuk jemi aq të pranishëm në media dhe nuk njihemi aq lehtë që të munden sa më shumë përdorues dhe akoma më shumë banorë ta përdorin jo vetëm aplikacionin tonë, por edhe shumë aplikacione të tjera që janë të disponueshme në tregun tonë, ndërsa digjitalizimi tregon se do të ketë gjithnjë e më shumë zgjidhje të tilla që do të zgjidhin shumë probleme urgjente”, thotë Ollga Rajçiq.