Për t’u futur në stadiumin e Tetovës duhet të kalosh nëpër mbeturina dhe mini-deponi (Foto)

Qytetarët e Tetovës për të parë një ndeshje futbolli në stadiumin e Tetovës, nga cilado portë të futen brenda ata duhet të kalojnë përmes mbeturinave të shumta rreth stadiumit, madje edhe mini-deponi. Ky problem tani e shumë kohë po e rrethon stadiumin, kurse autoritetet deri tani kanë pasur shumë fjalë për stadiumin e pak vepra, shkruan Portalb.mk.

Xhama të thyer, letra, plastika, goma veturash, mbeturina të ndryshme gjithandej dhe mbishkrime që i japin një pamje dhe mesazh jo të mirë, janë vetëm disa nga elementet të cilat e identifikojnë stadiumin e qytetit të Tetovës nga jashtë.

Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të hënën Komuna e Tetovës realizoi aksion ekologjik, ku përmes NPK-së u pastruan disa lokacione, por stadiumi- një ndër pikat më kritike nuk ishte në listën e Komunës dhe NPK-së. Përkundër deklarimit të kryetarit Kasami gjatë  debatit publik për buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2022 se do të diskutohet me NPK-në që kjo të pastrohet, deri tani pamjet nga terreni janë të tmerrshme.

Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga NPK-ja nuk u përgjigjën për atë se përse gjatë aksionit ekologjik nuk u pastrua kjo pikë kritike për qytetin.

Për mospastrimin e kësaj pike kritike deri tani, nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” për Portalb.mk thanë se në këtë lokacion pritet që NPK-ja së bashku me inspektoratin komunal të realizojnë inspektim në terren që së shpejti të pastrohet kjo pikë, por duke mos treguar kur konkretisht.

“Presim nga ana e inspektoratit komunal që së bashku të marrim masa për pastrimin e kësaj pike”, thanë nga NPK “Tetova”.

Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Rikonstruimi i stadiumit, vetëm premtime deri tani

Problem ende më kritik është gjendja dhe kushtet e tmerrshme të stadiumit në të cilat zhvillohen ndeshjet. Tetova njihet jo vetëm në vend, por edhe në rajon për dy klubet e saja të futbollit, të shpallura shpesh herë edhe kampionë në nivel shtetëror, edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga ana e qytetarëve për zgjidhje, kjo nuk ka qenë motiv për autoritetet të kontribuojnë në krijimin e një stadiumi me standarde.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se komuna ka kontratë me kompani private për partneritet publiko-privat, ku siç thonë kontaktet janë permanente me qëllim të eleminimit të problemeve të paraqitura për realizimin e projektit në fjalë. Detaje konkrete ende nuk ka.

“Qëllimi i kontratës së partneritetit publiko privat, është financimi, projektimi  me sanim, ndërtim/mbindërtim dhe menaxhim me dy objektet sportive (Stadiumi i futbollit i riu dhe i vjetri) nga ana e partnerit privat. Punët do të fillojnë atëherë kur do të sqarohen të gjitha detajet e marrëveshjes dhe kur do të zgjidhen të gjitha problemet që janë evidentuar”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Rikujtojmë që gjatë debatit publik për buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2022, pasi qytetarët e ngritën si çështje të njëjtën, KAsami tha se ka marrëveshe në fuqi me një kompani provate e cila do e bëj rregullimin, rinovimin dhe menaxhimin për një periudhë të caktuar të stadiumit, ku e njëjta do të fillojë këtë vit, por pa përcaktuar kur konkretisht.

This slideshow requires JavaScript.

Rikonstruimin e stadiumit Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore

“Ne si Lëvizje Besa do të angazhohemi që kompania “Ecolog” jo vetëm stadiumin por kompania Ecolog të jetë një partner strategjik i Komunës së Tetovës me gjithë kapacitetin investues që e ka dhe atë kapacitet ta orientojë në zhvillimin ekonomik lokal të Tetovës”, tha Bilall Kasami në #Debatpërnime me 14 tetor.

Se a do të realizohen këto në praktikë apo do të ngelin vetëm fjalë pa epilog, mbetet të shihet në vazhdim. Rikujtojmë që kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin  2021, por asgjë nuk u realizua në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button