Stadiumi i Tetovës, Kasami: Muajve në vijim pritet të kemi marrëveshje përfundimtare

Stadiumi i Tetovës vazhdon të mbetet i lënë pas dore. Nëntorin e vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha brenda vitit 2022 pritet të ketë zgjidhje në bashkëpunim me kompaninë “Ecolog”, por diçka e tillë nuk ndodhi. Ndërkaq, i pyetur së fundmi për të njëjtën, Kasami theksoi se marrëveshja përfundimtare pritet muajve në vijim dhe se aktualisht po shqyrtohen mundësitë juridike të ofertës, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët dhe adhuruesit e futbollit me vite presin rikonstruimin e stadiumit të qytetit, i cili është në gjendje të shkatërruar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. E kjo më problematikë është për klubin e futbollit “Shkëndija” të cilët nga gjendja e keqe e stadiumit të qytetit, ndeshjet ndërkombëtare i luajnë në Shkup.

E vetmja gjë pozitive në këtë stadium është rregullimi i ndriçimit publik dhe fushës së gjelbër.

Nëntorin e vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur nga Portalb pohoi se në takimin me pronarin e kompanisë “Ecolog ishte biseduar tema e stadiumit dhe se kishte diçka konkrete në këtë drejtim, dhe se përveç stadiumit pritej të ketë edhe akademi futbolli për të rinjtë. Mes tjerash Kasami pati thënë se brenda vitit 2022 do të ketë zgjidhje.

Por, kjo nuk u bë. Andaj i pyetur së fundmi për atë se deri ku janë punët në këtë drejtim, Kasami tha se janë në bisedime, sipas tij ajo që tani më është e qartë është që çështja e stadiumit ka të bëjë me marrëveshjen mes Komunës dhe kompanisë koncesioner, në këtë rast “Ecologut”.

“Kemi një dakordsim parimor për mënyrën se si do të vazhdojnë më tej bisedimet por sigurisht që diskutohen edhe mundësitë ligjore, pra koncesioneri i analizon mundësitë ligjore që a mund ajo ofertë që ne ia kemi bërë si Komunë e Tetovës të jetë e realizueshme juridikisht, nga momenti kur do të kemi konkrete diçka do dalim para opinionit me ofertën dhe zgjidhjen të cilën e ofrojmë për rregullimin e stadiumit por edhe të Shkëndisë si klub i rëndësishëm për Tetovën dhe tetovarët“, tha Kasami.

Për atë se a pritet që këtë vit të fillojnë punimet apo vetëm janë bisedime, Kasami deklaroi:

“Pritet që brenda muajve në vijim ne të kemi një marrëveshje përfundimtare që sigurisht do të nënkuptojë që punët për rregullimin e stadiumit të fillojnë brenda vitit.”

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk u drejtua me pyetje përmes emailit zyrtar edhe te kompania “Ecolog”, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk kemi marrë.

Para disa muajsh, edhe tifozët e klubit futbollistik “Shkëndija” përmes një fushate kërkuan që kompania “Ecolog” ta bëjë rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

Qytetarët, rikonstruimin e stadiumit e kërkuan edhe gjatë debatit publik për buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2022.

Rikonstruimin e stadiumit Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button