Revzioni: Zhvillimi rajonal në RMV pa rezultate, investimet publike të bllokuara në prioritetet lokale
Mungesa e kritereve të qarta për projektet rajonale, ndarja e fondeve përmes ministrive të linjës në krahasim me ndarjen e fondeve përmes Programit për Zhvillim të Barabartë Rajonal, ndarja e fondeve për komunat dhe projektet pa thirrje publike në procedurë jo transparente, mungesa e një sistemi për vlerësimin dhe qëndrueshmërinë e projekteve ka ndikim në efektet e investimeve publike në zhvillimin rajonal, informon Enti Shtetëror për Revizion pas kryerjes së auditimit të performancës me temën “Efektet e investimeve publike në zhvillimin e barabartë rajonal“, transmeton Portalb.mk.
Auditi, siç thotë ESHR, është kryer me qëllim që të përcaktohet nëse investimet publike planifikohen dhe zbatohen në mënyrë efikase dhe efektive, dhe nëse ato kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm rajonal afatgjatë.
Auditi mbuloi periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023, gjatë së cilës u analizuan investimet publike për zhvillim të barabartë rajonal për të cilat janë ndarë ose miratuar fonde nga Buxheti për financimin e projekteve të komunave dhe rajoneve planifikuese, duke përfshirë të dhënat dhe aktivitetet e kryera deri në datën e përgatitjes së raportit.
“Me auditimin e kryer dhe metodologjinë e aplikuar të auditimit dhe bazuar në provat e mbledhura të auditimit, është fituar siguri e arsyeshme se masat dhe aktivitetet e ndërmarra për të ndarë fonde për zhvillim të balancuar rajonal në shumën prej të paktën 1% të PBB-së nga Buxheti në bazë vjetore nuk janë arritur, përzgjedhja e projekteve nuk është efektive me qëllim financimin e projekteve të investimeve publike për nevojat e qytetarëve me ndikim në zhvillimin rajonal, dhe gjithashtu nuk është krijuar monitorim efikas dhe nuk ka sistem për vlerësimin e qëndrueshmërisë së projekteve para se ato të miratohen dhe pas përfundimit”, thuhet në raport.
Kujtojmë se Enti Shtetëror i Revizionit në raportin paraprak ka zbuluar mangësi serioze në procesin e digjitalizimit të librave amë, i cili ka zgjatur më shumë se një dekadë dhe deri më tani ka investuar mbi gjysmë miliardi denarë (afërsisht 8.5 milionë euro). Pavarësisht këtij investimi të madh, procesi nuk ka përfunduar ende dhe një numër i madh qytetarësh ende marrin certifikata lindjeje të lëshuara duke përdorur daktilograf.